O’Brien nga Podgorica: Mali i Zi është partner i fortë i NATO-s

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien deklaroi se Mali i Zi është një partner i fortë i NATO-s dhe se është krenar për këtë.

Këto komente ai i bëri në Podgoricë pas takimit që pati me kryeministrin malazez, Milojko Spajiq,

“Gjatë takimeve u binda për përkushtimin e Malit të Zi në rrugën evropiane. Ne mbështesim rrugën e Malit të Zi drejt BE. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me investimin në Mal të Zi, por se vendi hap derën për një treg më të gjerë,” tha O’Brien.

Nga ana tjetër, shefi i ekzekutivit malazez vlerësoi se vizita e O’Brien tregon se një nga qëllimet e Qeverisë po realizohet – Mali i Zi është Singapori në Evropë.

“Ne presim rezultate të mëdha nga dialogu me kompanitë amerikane. Ne presim që ekonomia amerikane të jetë shumë më e interesuar për tregun tonë,” tha Spajiq.

Ai shtoi se Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor i propozuar nga Bashkimi Evropian është shumë i rëndësishëm për Malin e Zi dhe këtë e kanë parasysh partnerët nga SHBA-ja.

Kjo vizitë e zyrtarit të lartë amerikan vjen pak ditë pasi ai tha se SHBA-ja është e shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit dhe se se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

Go to TOP