Nuredin Abazi: Nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake ndonjëherë në UÇK

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ku po vazhdon në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi, dëshmitari Nuredin Abazi, deklaroi se nuk ka pasur Gjykatë Ushtarake gjatë kohës së luftës, kur ai ka shërbyer si këshilltar juridik në Zonën Operative të Pashtrikut.

“Nuk ka pas ndonjëherë Gjykatë Ushtarake dhe as që është krijuar ndonjëherë ndonjë Gjykatë Ushtarake, sa e di unë. Gjykatë Ushtarake nuk ka pas kërkun në Kosovë pasi që për themelimin e një Gjykate Ushtarake, janë dashtë kushtet e veçanta të cilat atëherë na kanë munguar dhe kemi qenë të pazotë që ta krijojmë një gjykatë të tillë pasi ofensivat nuk na kanë lanë me e çu kokën. Nuk kemi mendu diçka rreth asaj përveçse me u mbrojtë dhe me marrë pjesë në aksione”, theksoi Abazi.

Sipas tij, Gjykatë Ushtarake edhe sot nuk ka mbas 25 viteve paqe.

“Nuk jemi t’u mujtë me e themelu tani Gjykatën Ushtarake e lëre më atëherë në kushte të luftës. Prapë po e ceki, sa e di unë kurrë nuk kam ni për Gjykatë Ushtarake dhe as nuk ka pas Gjykatë Ushtarake”, deklaoi dëshmitari.

Abazi tha se Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës politik në UÇK. Por, ai theksoi se me Thaçin dhe anëtarët e tjerë të Shtabit nuk është takuar asnjëherë gjatë luftës.

Sa ishte në funksion në Budakovë, dëshmitari mohoi se ka trajtuar çështje të ndalimit atje.

“Nuk kemi pas çështje të ndalimit na asnjëherë. Kemi pas çështje të legjitimimit, kryesisht të identifikimit të personave të cilët kanë hyrë në zonën e luftës dhe kurgjo tjetër”, tha ai.

Sa i takon asaj se si bëhej identifikimi, dëshmitari tha se ka qenë detyrë e rojës së zonës.

“Për detyrë e ka pas roja që e ka përkufizu zonën. Ata e kanë pas për detyrë me e identifiku se kush po hynë në zonë dhe kush po del, jo unë”, theksoi ndër të tjera Abazi.

Në këtë seancë, pati një diskutim mes prokurorit James Pace, trupit gjykues dhe avokatëve mbrojtës lidhur me dëshminë e këtij dëshmitari dhe vërtetësinë e deklaratave që ai i kishte dhënë ndër vite në autoritetet e drejtësisë.

Prokurori Pace propozoi që të merret parasysh deklarata e dëshmitarit e dhënë sipas rregullës 154. Ndërsa, mbeti që trupi gjykues të marrë një vendim lidhur me këtë.

Go to TOP