Putin nuk do armiqësi me NATO-n – tregon se çfarë do të ndodh në vazhdim në Ukrainë

Vladimir Putin i është drejtuar kombit rus dhe mbarë opinionit ndërkombëtar duke pohuar se nuk kërkon armiqësi me vendet anëtare të NATO-s gjersa operacioni në Ukrainë është rezultat i ndryshimeve gjeopolitike tektonike.

Presidenti rus deklaroi se ka presion të vazhdueshëm mbi vendin e tij dhe se kërkon dialog.

“Ne përpiqemi të bashkëpunojmë me vendet e mëdha, por aty është NATO. Ne kemi një mesazh për NATO-n: le të mos jemi armiq, le të jetojmë në harmoni. Le të shkojmë në dialog, drejt paqes”, tha Putin.

“Ka presion të vazhdueshëm mbi ne. Cili është qëllimi? Qëllimi është ta bëjmë Rusinë të pambrojtur dhe ta bëjmë atë një mjet për të arritur qëllimet e tyre. Kjo është ajo, të gjithë janë një mjet. Dhe ata që nuk janë dakord, që nuk duan të jenë një mjet, kundër tyre po futen sanksione, kufizime ekonomike…”, tha Putin, raporton skynews.

“Kjo nuk do të kalojë për sa i përket Rusisë dhe nuk do të ketë kurrë. Rusia nuk sfidon elitat perëndimore. Rusia kërkon vetëm të drejtën e saj për t’u zhvilluar. Rusia nuk dëshiron të krijojë një botë bipolare, nuk dëshiron të sundojë botën ”, tha ai.

Ai pohoi se endi i ri botëror duhet të bazohet në ligj dhe drejtësi, “Rendi i ri botëror duhet të bazohet në ligj dhe drejtësi. Tregtia botërore duhet të jetë më e hapur dhe e ndershme”.

I pari i shtetit rus thotë se tregtia dhe financat botërore nuk duhet të varen nga një vend, “A është e mundur? Po. Perëndimi përdor dollarin si armë”.

Putin tha se operacioni në Ukrainë është rezultat i ndryshimeve gjeopolitike tektonike.

“Këto nuk janë ndryshime të reja në Ukrainë, ato kanë ndodhur prej vitesh. Ato pllaka tektonike po lëvizin vazhdimisht. Siç thonë ekspertët, në fillim gjithçka është shumë e qetë. Dhe pastaj ato pllaka hyjnë nën njëra-tjetrën, ka tensione, ka një tërmet”, tha Putin.

“Qendrat e reja të pushtetit po vijnë. Këto ndryshime po ndodhin për arsye objektive”, deklaroi ai, duke shtuar se disa qendra të pushtetit po zhduken.

“Të reja po shfaqen. Sidomos në Azi, por edhe në Afrikë. Afrika është një kontinent i varfër, por ka potencial”, pohoi ai.

Ai thotë se këto ndryshime tektonike rezultuan në ngjarje tragjike në Ukrainë.

“Ne nuk kemi faj për këtë”, tha Putin dhe shtoi se ato ndryshime do të ndodhin pavarësisht se çfarë bëjnë. “Këto procese janë të pakthyeshme”, shtoi ai.

Ai thotë se ukrainasit nuk i respektuan marrëveshjet e Minskut.

“Ndodhin disa gjëra që njerëzit nuk i shohin. Më në fund gjërat dalin në dritë, ato bëhen publike. Ne duhej të vendosnim se çfarë të bënim me Donbas. Njerëzit jetuan nën zjarr për tetë vjet, ata ende jetojnë nën zjarr. Kjo është arsyeja pse ne morëm hapin tjetër logjik, ne i përfshimë ata në Rusi sepse nuk do të kishin mbijetuar më vete. Ne respektuam vullnetin e tyre”, tha Putin.

“Ne nuk kishim zgjidhje tjetër veçse të nisnim një operacion ushtarak. Opsioni tjetër ishte thjesht të prisnim. Le të kthehemi në vitin 2014”, pohoi ai dhe më pas përshkroi situatën në Ukrainë në vitin 2014.

“Këto territore ishin historikisht vendlindja e Rusisë. Ne ishim një komb, një gjuhë,” u kthye Putin në Mesjetë.

Putin tha se vazhdimisht mendon për ushtarët rusë që ranë në Ukrainë, por tha se Moska nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të nisë atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak”.

Putin tha se kostot e konfliktit – përfshirë ekonominë ruse – janë të pashmangshme dhe se Rusia po forcon sovranitetin e saj. Ai vazhdoi duke thënë se bota po përballet me dekadën më të rrezikshme që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

Ai u pyet se cili ishte plani i të ashtuquajturit operacion ushtarak, “Qëllimi kryesor është të ndihmojmë Donbasin. Luhansku u çlirua. Ata njerëz jetonin si rusët, ne duhej të reagonim. Ishte logjike në atë moment. Qëllimi është një – të ndihmojmë njerëzit në Donbas”. 

Go to TOP