Greva në arsim, Musliu-Kurtit: Në cilën shkollë ndjek mësimet vajza jote 

Sot në seancën e parë të Kuvendit për sesionin vjeshtor deputetja nga radhët e PDK-së, Ganimete Musliu, ka folur edhe për grevën në arsim, duke thënë se tentimi që grevës t’i jepet karakter politik është përpjekje për ta mbuluar paaftësinë e Kurtit e Nagavcit.

Sot është duke u zhvilluar seanca e parë e kuvendit për sesionin vjeshtor, ku ndër tjerash po diskutohet edhe greva në arsim.

Një prej deputeteve që ka folur për këtë çështje, ka qenë edhe Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se ajo mbështet grevistët dhe u ka bërë thirrje të gjithë punëmarrësve, si të sektorit publik por edhe atij privat që të mos tolerojnë degradimin e të drejtave dhe dinjitetit të tyre.

“Sado që tentohet të ndërpritet zinxhiri i solidaritetit me grevistët, kjo nuk do të ketë sukses. Mbështes grevistët dhe u bëj thirrje të gjithë punëmarrësve në Kosovë, të sektorit publik dhe të atij privat, që të mos tolerojnë degradimin e të drejtave dhe dinjitetit të tyre, njëjtë sikurse i bëj thirrje kryeministrit që të ulet dhe të bëjë zgjidhje bashkë me ta”, ka deklaruar Musliu.

Përveç kësaj, ajo ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, se në cilën shkollë i ndjek mësimet vajza e tij.

“E para, sa prej anëtarëve të kabinetit të Albin Kurtit i çojnë fëmijët e tyre në shkollat publike, sepse vetëm ata e kuptojnë domosdoshmërinë e reformave për cilësi në arsim, e cilësia nuk arrihet duke i nëpërkëmbur e poshtëruar mësimdhënësit, por duke biseduar me ta për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Dhe pyetja ime dytë është për Kryeministrin, në cilën shkollë ndjek mësimet vajza jote?”, ka thënë ndër tjerash Musliu.

Go to TOP