Njësia B2 e KEK-ut kthehet në funksion dhe në gjendje të qëndrueshme

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se njësia B2 është kthyer në funksion dhe në gjendje të qëndrueshme.

“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton se pas ndaljes dyditore të njësisë B2, si dhe pas një pune të pandërprerë dhe me përkushtim të personelit të TCB-së, ka përfunduar me sukses inspektimi teknik i pajisjeve dhe eliminimi i defekteve (rrjedhjeve të ujit) në kaldaj. Njësia B2, dje më datë 07.12.2024, në orën 01:48, është sinkronizuar me rrjetin energjetik dhe gjendja e saj është stabile”, njofton KEK.

Sipas KEK-ut, kjo ndalje ishte e nevojshme për të siguruar që njësia të funksionojë në kushte optimale për prodhim dhe për të garantuar vazhdimësinë dhe sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

“E rëndësishme është se KEK-u tashmë operon me dy njësi (A-3 dhe A-4) në termocentralin Kosova A, si dhe me dy njësi (B-1 dhe B-2) në termocentralin Kosova B. KEK-u, si prodhuesi më i madh i energjisë elektrike, vazhdon të jetë faktor kyç në stabilitetin e sektorit të energjisë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në komunikatën e KEK-ut. /Kosova.info/


Go to TOP