Njëri i akuzuar në Afrikë të Jugut, shtyhet gjykimi ndaj ish-inspektorëve të ATK-së
Për shkak se i akuzuari Skender Fetaj gjendet në Afrikën e Jugut, ka dështuar të mbahet seanca e së enjtes ndaj tij dhe Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati, Burim Ismajli, Ramadan Ibishi, Selatin Hoxha dhe Fisnik Ibishi.
Në këtë rast, për “Organizim të skemave piramidale akuzohen Skender Fetaj, Ramadan Latifi, Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe Burim Ismajli. Ramadan Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje. Dy ish-inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) Ramadan Ibishi e Selatin Hoxha, akuzohen për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërkaq, për ndihmë në zbulim të fshehtësisë zyrtare, akuzohet Fisnik Ibishi.
Mungesën e të akuzuarit Fetaj, e ka konstatuar gjykatësi Valon Kurtaj.
Për të njëjtin, gjykatësi Kurtaj tha se ka njoftuar përmes mbrojtësit të tij, se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë çështje penale, për shkak se i njëjti gjendet në Afrikën e Jugut.
Po ashtu, për të akuzuarin Fetaj, gjykatësi Kurtaj tha se ka kërkuar që të njoftohet për datat e seancave të radhës dhe se do të jetë i pranishëm në ato seanca.
Ndërkaq, në këtë seancë i pranishëm nuk ishte as i akuzuari Kastrati.
Për këtë të fundit mbrojtësi i tij, avokati Arianit Koci tha se nuk është i pranishëm, pasi që jeton në Gjermani dhe se ka qenë i njoftuar se nuk do të mbahet seanca sotme.
Për një gjë të tillë, konstatoi edhe gjykatësi Kurtaj se është njoftuar gjykata.
Ndryshe, trupi gjykues në këtë rast është përbërë nga anëtarët Musa Kongjeli dhe Valbona Musliu-Selimaj.
Mirëpo, për shkak të pensionimit të gjykatësit Kongjeli dhe avancimit të gjykatëses Musliu-Selimaj në Gjykatën e Apelit, në këtë seancë trupi gjykues u përbë nga anëtarët Vesel Ismaili dhe Violeta Namani.
Sipas aktakuzës së ngritur më 28 maj 2019, të pandehurit Skender Fetaj, si pronar i biznesit “EGTK II” sh.p.k, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija si menaxherë, në bashkëkryerje kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit. Për këtë vepër akuzohen edhe Ramadan Latifi dhe Burim Ismajli. Latifi po akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërsa, Ramadan Ibishi dhe Selatin Hoxha akuzohen se në cilësinë e inspektorëve të lartë të Administratës Tatimore të Kosovës, në drejtorinë e lojërave të fatit, iu kanë vënë në dispozicion informatat që janë fshehtësi zyrtare të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë, duke i njoftuar për aksionet e ATK-së, duke iu mundësuar t’iu ikin kontrolleve në mënyrë që të mos gjobiteshin. Kurse, Fisnik Ibishi, akuzohet se me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Ramadan Ibishi, në kryerjen e veprës penale “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”.
