‘Njerëzit-Ujq’: Vrasjet e llahtarshme të lypësve dhe emigrantëve në Evropën Mesjetare, nxitur nga bestytnitë

Rreth 200 vjet para gjyqeve ndaj “Shtrigave”të Salemit në Masaçusets të SHBA-së, gjykatat në Evropë po dënonin shumë burra – dhe disa gra – pse ishin shndërruar në ujqër duke gjymtuar dhe ngrënë fëmijët. Nganjëherë ndëshkimet ishin po aq të tmerrshme sa edhe krimet e supozuara.

Kështu, në vitin në 1589 në Gjermani xhelatët e lidhën “ujkun” e akuzuar Peter Shtump pas rrotës së një karroce, ia hoqën lëkurën me majë hekuri të nxehtë, dhe i prenë kokën para se ta digjnin trupin në turrën e druve. Koka e Shtump, u lidh me një ujk të ngordhur, dhe u ekspozua më vonë lart e poshtë zonës si një paralajmërim për të tjerët që mund tundoheshin t’i bashkoheshin Djallit.

“Gjyqet ndaj Ujqërve” u zhvilluan në pjesë të Evropës gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII, të nxitura nga bestytnitë, përplasjet fetare dhe politike, si dhe dëshira për të gjetur fajtorët e kushteve të vështira të jetesës. Shumë nga të akuzuarit ishin lypës, heremitë apo emigrantë të kohëve të fundit në ato zona.

Shumica e pranuan se ishin ujqër dhe se kishin kryer krime të rënda, por kjo vetëm pasi u torturuan. Historianët dyshojnë se disa prej tyre vuanin nga iluzionet,apo nuk ishin aq inteligjentë sa ta dinin se çfarë ishin duke pranuar.

Disa mund të kenë qenë vërtet pedofilë ose vrasës serialë, por të dhënat historike janë të fragmentuara dhe të ekzagjeruara. Shumë shekuj më vonë, është e vështirë t’i ndash legjendat nga dëshmitë e vërteta, apo nga ato që njerëzit besonin se ishin të vërteta në atë kohë.

“Ideja e ngrënies nga kafshët në këtë botë ose në tjetrën, mbeti një makth popullor gjatë gjithë Mesjetës”- shkruan Aleksander Pluskovski, një zooarkeolog mesjetar në Universitetin e Ridingun në librin e tij të vitit 2015 “Historitë e gjyqeve ndaj njerëzve-ujqër”.

Koncepti i transformimit të njerëzve në ujqër, e ka origjinën mijëra vjet më parë. Në Eposin e Gilgameshit nga Mesopotamia në vitin 2100 Para Krishtit, heroi heq dorë nga dashuria kur mëson se ajo që ai donte e kishte kthyer në një ujk ish të dashurin.

Në mitologjinë greke, mbreti Likaon i Arkadisë e teston plotfuqinë e Zeusit duke u ushqyer me mbetjet njerëzore, ndaj hyjnia në formën ndëshkimin e shndërroi atë në një ujk. (Emri i tij është rrënja e termit likantrop – e përdorur si për shndërrimin e njeriut në ujk, ashtu edhe për iluzionin e të qenit në një gjendje psikike të tillë).

Njerëzit-ujqër u përfshinë në folklorin e Mesjetës, por ata ishin zakonisht personazhe dashamirës, që ishin shndërruan në kafshë kundër vullnetit të tyre, dhe që ishin të dëshpëruar për t’u kthyer në formën e mëparshme njerëzore. Akuzat se njerëzit mund të ishin ujqër të rrezikshëm u shfaqën si pjesë të gjyqeve ndaj shtrigave që ndodhën në disa pjesë të Evropës në vitet 1400.

Kështu, zyrtarët në rajonin Valais në Zvicër kryen përndjekje në shkallë të gjerë, duke fajësuar shtrigat për shkatërrimin e të korrave, apo çalimin, verbërinë, infertilitetin dhe impotencën tek njerëzit, si dhe për shndërrimin në formë ujku apo gjymtimin e bagëtive.

Sipas disa dëshmive, qindra burra dhe gra u dënuan dhe u dogjën në turrën e druve në Valais duke filluar nga viti 1428, shpesh me një thes të mbushur me barut të lidhur rreth qafës të tyre. Çdo tokë që ata zotëronin i kalonte automatikisht vasalit lokal të mbretit, gjë që mund të ketë nxitur edhe këto akuza.

Nga Alpet, gjyqet ndaj njerëzve-ujqër u përhapën në Franshe-Komt në Burgundi, një zonë me pyje të dendura ku fshatarët dhe bagëtia ishin pre e lehtë për ujqërit e vërtetë. Atje, ashtu si kudo në Evropë, trazirat politike dhe fetare i rritën ndjeshëm tensionet.

“Krishterimi po përpiqej në atëkohë të zhdukte traditat pagane rajonale, dhe kjo u shndërrua në një terren pjellor për akuzat me të çmendura”-thotë Rolf Shulte, ekspert gjerman mbi gjuetinë e shtrigave dhe njerëzve-ujqër në librin e tij 2009 “Njeriu si shtrigan”.

Në vitin 1521, inkuizitorët e emëruar nga Papa,drejtuan disa gjyqe kundër të dyshuarve si njerëz-ujqër. Dy barinj, Pier Burgo dhe Mishel Verdun, rrëfyen se kishin bërë një pakt me Djallin në këmbim të ushqimit. Ata thanë se ishin takuar me një burrë i veshur me të zeza, që u dha atyre një vaj që i shndërroi në ujqër.

Më pas ata morën pjesë në tubimet e shtrigave në mesnatës, si dhe sulmonin dhe hanin fëmijë. Që të dy u dënuan me vdekje dhe u dogjën në turrën e druve, së bashku me një të tretë që refuzoi të rrëfente. Gjyqet e mëhershme ndaj këtyre njerëzve, kishin shpesh detaje të ngjashme:burra të veshur me të zeza, një lëng magjik, rripa apo lëkurë që i shndërruan të akuzuarit në ujqër, pjesëmarrje në ceremonitë e shtrigave në orët e vona të natës etj.

Dëshmitarët okularë pretenduan se kishin parë kafshë me sy të mëdhenj, me shkëlqim dhe me dhëmbë të gjatë e me majë, të cilët vraponin me një shpejtësi mbinjerëzore. Në kundërshtim me autoritetin e Kishës, parlamenti laik në Dol mori vetë përgjegjësinë për gjyqe të tilla, duke i inkurajuar qytetarët “që të mblidheshin të armatosur me shkopinj dhe çdo mjet tjetër të mprehtë,për të zbuluar njerëzit-ujqër aty ku mund t`i gjenin”.

“Kapini, qëllojini ose vritini ata”-shkruhet në një Edikt të atij parlamenti, të cituar në librin e Shultes. Një patrullë në qytetin lindor francez Shën Klod, arrestoi Zhill Garnie, një emigrant që jetonte në mjerim në pyll, duke e akuzuar atë për gjymtimin e fëmijëve pranë qytetit Dol në vitin 1573.

Pas torturave, Garnie e pranoi se kishte vrarë 4 fëmijë dhe se kishte ushqyer me trupat e tyre familjen e tij të premten, një sakrilegj ky i dyfishtë duke pasur parasysh dekretin e Kishës kundër ngrënies së mishit të premteve. Garnie u dogj në turrën e druve, pavarësisht disa dyshimeve se si mund të kishte udhëtuar 60 kilometra larg, ku jetonin disa nga fëmijët e zhdukur.

Gjyqtari i Madh i Shën Klodit, Henri Bogue, ishte i bindur se një grup i madh shtrigash dhe njerëzish-ujqër po terrorizonin komunitetin. Ndaj ai urdhëroi arrestime dhe përndjekje të shumta, me akuzat që shpesh përdoreshin në mënyrë të ndërsjellë. Vetëm në vitin 1598, ai shpalli 17 dënime me vdekje.

Por Bogue u detyrua të pajtonte pikëpamjet e tij ligjore me pozicionin zyrtar të Kishës, se vetëm Zoti mund t’i transformonte njerëzit, dhe se Djalli mund të krijonte vetëm iluzione. Por duke pretenduar se kishte parë vetë ujqër duke skërmitur dhëmbët në të katër cepat e në sallën e gjyqit, Bogue arriti në përfundimin se të pandehurit ishin qartazi nën magjinë e Djallit, ndaj meritonin gjithsesi ekzekutimin.

Ndonjëherë gjykatat thërrisnin për të dëshmuar disa mjekë. Një pikëpamje e zakonshme mjekësore në atë kohë, ishte se njerëzit-ujqër vuanin nga melankolia, një lloj depresioni që përfshinte maninë dhe iluzionet. Megjithatë, disa mjekë thanë se vetëm Satanai mund të kishte shkaktuar sëmundje të tilla.

Sot ekspertët teorizojnë se disa njerëz-ujqër mund të kenë vuajtur nga porfiria, një sëmundje që shkakton ndjeshmëri të madhe ndaj dritës, dhëmbë të kuqërremtë dhe psikoza; apo nga hipertrikoza, një gjendje e trashëguar që sjell rritjen e tepërt të qimeve në trup. Likantropia -pra të besuarit se je një ujk – mund të jetë shkaktuar nga konsumimi i qëllimshëm apo aksidental i barërave halucinogjene, kërpudhave ose përzierjeve popullore.

Gjyqet ndaj njerëzve-ujqër vazhduan deri në shekullin XVII-të në Gjermani, Holandë dhe Evropën Lindore, sidomos në zonat rurale të izoluara. Por gradualisht, të arsimuarit dhe elita pushuan së besuari tek Djalli apo transformimi i njerëzve në kafshë. Sa njerëz u gjykuan dhe u dënuan gjithsej? Disa studime raportojnë se vetëm në Francë të paktën 30.000 persona u ekzekutuan si njerëz-ujqër midis viteve 1520-1630./ Marre nga bota .al

Go to TOP