Parandalohet një rast i kontrabandës në Vinarc të Mitrovicës, sekuestrohen mbi 1.600 litra tretës

Policia e Kosovës njofton në bashkëpunim me Doganën e Kosovës kanë parandaluar një rast të kontrabandës, ku janë sekuestruar mbi 1 mijë e 600 litra tretës.

Sipas njoftimit, pas pranimit të informacioneve inteligjente se nga Serbia është futur mall i kontrabanduar në veri, policia ka angazhuar njësi përkatëse dhe dje në fshatin Vinarc të Mitrovicës ka lokalizuar automjetin transportues me të cilin dyshohej se po bartej malli i kontrabanduar.

“Drejtuesi i automjetit gjatë tentimit të shmangies nga policia ka dalë nga rruga dhe ka braktisur automjetin. Gjatë kontrollit të automjetit është gjendur tretës i llojeve të ndryshme me peshë të përgjithshme prej:  1648 (njëmijë e gjashtëqind e dyzet e tetë) litra”, thuhet në komunikatën për media.

Automjeti së bashku me mallrat ilegale janë sekuestruar nga Policia në Mitrovicë dhe pastaj i është dorëzuar Doganës së Kosovës.

“Rasti është duke u trajtuar nga zyrtarë të Doganës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Go to TOP