Nis `Drini Poetik`

Në një atmosferë të ngrohtë letrare dhe festive, në hapësirat e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës u shënua 16-vjetori i festivalit tradicional të poezisë “Drini Poetik”. Temë diskutimi ishte figura madhore e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut dhe trajtimi i tij në letërsinë shqipe ndër vite.

Në këtë kontekst u mbajtën kumtesa, ese dhe diskutime për mënyrën se si shkrimtarë të ndryshëm, nga rilindësit e deri tek autorët modernë, kanë përjetësuar dhe interpretuar heroin kombëtar në veprat e tyre.

 “Tashmë, ky festival ndërkombëtar ka fizionominë e vet dhe nëpër skenën e tij kalojnë krijues nga të gjitha moshat e nivelet e ndryshme, por edhe nga anë të tjera të atdheut e më gjerë. Për shkak të pamundësisë  për të siguruar mjete materiale kemi mbetur pa poetë ndërkombëtarë”, tha Shyqri Galica, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

“Prej kohësh këtë hero kombëtar letërsia shqipe e ka objekt të rëndësishëm frymëzimi. Siç ka theksuar profesor Agim Vinca: Nuk ka poet të vjetër apo të ri, klasik apo bashkëkohor, të njohur apo më pak të njohur që nuk ka provuar të shkruaj një poezi për Skënderbeun, që të flasë në vargje për jetën dhe veprën e tij”, tha Hamdi Suka, shkrimtar.

Gjatë festivalit u mbajt edhe një sesion i posaçëm për promovimin e librave të autorëve të ndryshëm, duke përfshirë poezi, prozë dhe eseistikë e hulumtime shkencore.

 “Vëllimi “Studime për Folklorin V, Gjurmime të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan”, kërkime arkivore në fondet e Harvardit dhe disa vise të Ballkanit, është rezultat i një pune të denjë të profesor Zymer Nezirit. Ky studim paraqet vijimësinë e studimeve të tij që eposi heroik legjendar shqiptar të shndrit sa më mirë dhe të popullarizohet sa më shumë”, tha Albin Sadiku, recensent.

Pjesëmarrësit poetë, studiues dhe lexues vlerësuan lart organizimin dhe thellësinë tematike të këtij edicioni. Ngjarja u mbyll me ndarjen e mirënjohjeve për autorë. Aktivitetet do të vazhdojnë në Prizren dhe Kukës.


Go to TOP