Nga një sulm në portin ukrainas dëmtohet trageti turk

Një zjarr i madh shpërtheu në një traget turk makinash, i ankoruar në qytetin portual ukrainas Odesa, pas një sulmi të ndodhur të premten.

Kompania që operon anijen ’Cenk T’ konfirmoi se sulmi ndodhi në orën 16:00 me kohën lokale (14:00 GMT), pak pasi ajo ishte ankoruar në portin Çornomorsk.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka fajësuar Rusinë për sulmin, e kjo e fundit nuk ka komentuar.

Sulmi ndodhi disa orë pasi presidenti turk, Tayyip Erdogan, i tha presidentit rus, Vladimir Putin, se një armëpushim i kufizuar për objektet energjetike dhe portet mund të ishte i dobishëm. Rusia ka refuzuar të gjitha thirrjet për armëpushim, raporton BBCNews.

Moska ka kërcënuar se do ta “presë Ukrainën nga deti” në përgjigje të sulmeve me dronë detarë të Kievit kundër cisternave të “flotës në hije” të Rusisë, që mendohet se përdoren për eksportin e naftës – një burim kryesor për financimin e luftës.

’Cenk Denizcilik’, kompania që zotëron anijen e ngarkesave që operon në linjën Karasu–Odesa, nëpër Detin e Zi, tha të premten se ajo po transportonte “furnizime të domosdoshme ushqimore” kur u godit pak pasi u ankorua në portin ukrainas.

Masat e reagimit emergjent u aktivizuan menjëherë me personat e ekuipazhit, zjarrfikësit e portit dhe rimorkiatorët ndihmës, pasi një zjarr shpërtheu në pjesën e përparme të anijes, shtoi kompania në deklaratë.

“Në këtë fazë, nuk ka raportime për viktima apo të lënduar mes ekuipazhit”, thuhet në deklaratë.

Duke dënuar një sërë sulmesh me raketa që Rusia kishte kryer në rajonin e Odesës një natë më parë, udhëheqësi ukrainas fajësoi Moskën për shënjestrimin e anijes civile turke, duke thënë se ajo “nuk mund të kishte asnjë rëndësi ushtarake”.

Ministria e Jashtme e Turqisë tha se duhet arritur një marrëveshje që do të garantonte “sigurinë e lundrimit dhe pezullimin e sulmeve kundër infrastrukturës energjetike dhe portuale, për të parandaluar përshkallëzimin në Detin e Zi”.

“Ne edhe një herë theksojmë rëndësinë e përfundimit urgjent të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës,” tha ministria.

Turqia ka kërkuar të mbajë marrëdhënie me të dy vendet në luftë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Ajo gjithashtu kontrollon ngushticën e Bosforit, e cila është një korridor kyç për transportimin e drithërave ukrainase dhe naftës ruse drejt Mesdheut.


Go to TOP