Nga fundi i kolonës në Pekin te kriza me Kinën

Shkruan: Ilir KRASNIQI

Nëse për asgjë tjetër, Vuçiq për vizitën e tij në Kinë mund të krenohet vetëm me faktin se arriti të ndezë internetin gjithandej. Ashtu si në rastin e Rusisë, edhe në raport me Kinën jo gjithçka po rrjedh sipas pritshmërive të tij.

Vizita e Vuçiqit u bë lajm viral nisur nga sentenca e poetit persian të mesjetës, Saadi, i cili thotë: “Një gënjeshtër është si një goditje e rëndë: edhe nëse plaga shërohet, një shenjë mbetet.” Gjatë vizitës në Kinë, Vuçiq kot u mundua të theksohej si mysafir me peshë, por realiteti ishte krejt ndryshe: falë shtatit të tij, u dallua vetëm në fund të kolonës, larg figurave qendrore.

Kjo nuk ishte hera e parë që ai u pozicionua në margjina. Në Ditën e Fitores në Moskë, në maj, ai u ul në rreshtin e dytë, gjë që gjithashtu tërhoqi vëmendjen. Atëherë pretendoi se nuk ishte “refuzuar”, por se si Putin, ashtu edhe Xi, e kishin ftuar posaçërisht për bisedime. Edhe këtë herë tha se me nikoqirin Xi kishte folur 15 minuta për shumë çështje. Megjithatë, duke llogaritur kohën e përkthimit, biseda nuk mund të ketë zgjatur më shumë se tre minuta efektive.

Pavarësisht kësaj, Vuçiq u përpoq ta paraqiste Serbinë si vendin e parë ose të dytë më të popullarizuar në Kinë ndër të gjithë pjesëmarrësit në Pekin. Ai madje krekosej para vizitës se do të pritej në nivelin më të lartë dhe se ishte i vetmi lider nga rajoni me këtë privilegj, duke nënvizuar se të tjerët mund ta ëndërronin një takim me Xi Jinping-un. Por harroi të përmendte se ishte ftuar edhe një delegacion nga Bullgaria.

Hatërmbetjen e mungesës së ftesës në Forumin e Bledit, Vuçiq u mundua ta paketonte si akt armiqësor ndaj Serbisë, duke aluduar për një “bosht kundër Serbisë” për shkak të Bosnjës dhe Kosovës. Por pikërisht ditën kur fotografia e tij në fund të kolonës në Pekin bëri xhiron e internetit, qeveria e Serbisë u mor me marrëveshjen për ndërtimin e hekurudhës Novi Sad–Suboticë, në të cilën ishin të përfshira kompani kineze.

Ky veprim dukej si një sinjal i drejtpërdrejtë për kinezët: “Nëse ju mund të më trajtoni kështu, edhe unë mund të veproj po njësoj.” Vetëm një ditë pas kësaj ngjarjeje, qeveria e Serbisë miratoi propozimin e ministres së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës, Aleksandra Sofronijeviq, për të shfuqizuar një konkluzion mbi shtojcën nr. 5 të projektit për rindërtimin e hekurudhës nga Beogradi deri në kufirin me Hungarinë. Në këtë projekt si kontraktorë ishin kompanitë kineze China Railway International Co. Ltd (CRIC) dhe China Communications Construction Company Ltd (CCCC). Përmes disa anekseve, kostoja ishte rritur me së paku 86.9 milionë dollarë. Arsyeja zyrtare për këtë vendim u lidh me tragjedinë e aksidentit ku humbën jetën 16 persona.

Megjithatë, pse Vuçiq e zgjodhi pikërisht momentin e vizitës në Pekin për të ashpërsuar situatën, mbetet pyetje që flet vetvetiu. Në Serbi, pothuaj çdo qytet është përfshirë nga protesta për shkak të këtij skandali, ndërsa qeveria u detyrua të reagonte në kulmin e vizitës së tij jashtë vendit.

Gjatë takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Pekin, Vuçiq duke përmendur energjinë si interes jetik, i tha se të gjitha kompanitë ruse janë të mirëseardhura në Serbi.

Por këtu qëndron kontradikta: interesat kineze dhe ruse në Serbi nuk përputhen. Rusia nuk është aspak e interesuar që Serbia të anëtarësohet ndonjëherë në BE; përkundrazi, është në interesin e saj që ky proces të zvarritet pafundësisht. Ndërkohë, Kina ka interes të kundërt: ajo dëshiron që rajoni të integrohet sa më shpejt në BE, duke e parë këtë si mënyrë për të fituar më shumë miq dhe ndikim brenda institucioneve evropiane.

Kjo strategji e Pekinit shihet qartë: në Greqi ka blerë porte, në Serbi ka investuar rëndë, në Mal të Zi ka depërtuar po ashtu – gjithçka me synimin për lidhje më të mira me Brukselin.

Megjithë vlerësimet e larta të pjesëmarrësve për takimin në Pekin, ai nuk prodhoi asgjë konkrete: ishte vetëm një demonstrim ritual, pa vendime të rëndësishme. Festimet katër-ditore në Kinë (fillimisht samiti i SCO-së, e më pas parada e përvjetorit) po përshkruhen si ngjarje boshe.

Në Pekin, u shpall një marrëveshje mes Rusisë dhe Kinës. Putin e quajti projektin “Fuqia e Siberisë–2” si më të madhin energjetik në botë. Por Kina nuk e përmendi specifikisht këtë, duke folur vetëm për “20 marrëveshje” të arritura. Problemi i madh mbetet: Rusia do të donte ta shiste gazin me çmime të ngjashme me ato që paguante Evropa, por Kina kërkon çmime vendore – shumë më të ulëta. Prandaj, marrëveshja mbetet e paqartë, si për nga volumi, ashtu edhe nga çmimi.

Këto tensione u reflektuan edhe në Forumin Ekonomik Lindor, të hapur më 3 shtator në Vladivostok, i cili u shpall si “platformë autoritare biznesi” për vendet e rajonit Azi–Paqësor. Por ndryshe nga pritshmëritë, forumi u injorua nga zyrtarët e lartë kinezë. As Ministria e Tregtisë, as Ministria e Financave, as Banka Qendrore e Kinës nuk dërguan përfaqësues. Në të kaluarën, aty merrnin pjesë liderë botërorë si Xi Jinping, Shinzo Abe, presidentë të Koresë së Jugut apo kryeministri indian Modi. Këtë herë, vetëm Mongolia dhe Laosi dërguan delegacione në nivel kryeministri, ndërsa India përfaqësohej vetëm nga zëvendësambasadori në Moskë.

Pra, e ardhmja e marrëdhënieve ruso-kineze u diskutua në nivel periferik, nga zyrtarë lokalë si kryetari i qytetit Fuyuan apo zëvendësguvernatori i Heilongjiangut. Kjo vetëm e thekson disproporcionin: për Kinën, Rusia është partner i dorës së dytë, ndërsa për Rusinë, Pekini është oksigjeni ekonomik.

“Varësia e tillë e bën Rusinë të cenueshme”, shpjegon ekonomistja Rybakova nga Instituti Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare në Uashington. “Por Putini është i gatshëm të pranojë kostot ekonomike të kësaj rruge, për sa kohë që mund të ruajë idenë e një ‘bote multipolare’, ku Rusia lidhet ngushtë me Kinën dhe vende të tjera.”


Go to TOP