Nesër Vuloset Krimi Ekonomik: Goditet dhe Varfërohet Qytetari, Bizneset dhe Prodhuesit Dobësohen

Shkruan: Shenoll MUHARrEMI

Në ora 08:30, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji mblidhet për të përcaktuar tarifat e reja të energjisë. Pas rritjes së të hyrave të lejuara maksimale për KEDS, KESCO dhe KOSTT, ky është hapi ku vendosen vlerat konkrete të tarifave për kategori të ndryshme.

Pavarësisht epilogut dhe shkallëve të rritjes, qytetarët dhe familjet e Kosovës që nga nesër do të jenë më të varfra. Fuqia e tyre blerëse do të goditet rëndë. Faturat e energjisë, me gjasë, do të jenë vetëm një prej barrave, krahasuar me rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve të tjera. Kjo po ndodh në kulmin e një vale të jashtëzakonshme rritjesh, pas disa vitesh me inflacionin më të lartë historikisht.

Ekonomia e Kosovës, bashkë me bizneset, prodhuesit dhe fermerët, do të dobësohet nga nesër. Operacionet e tyre do të bëhen më të shtrenjta, duke i bërë ata më pak konkurrues në tregun vendor. Kjo nënkupton se importet do të vazhdojnë të rriten. Deficiti tregtar do të thellohet. Eksporti do të goditet, pasi produktet e Kosovës do të jenë më të shtrenjta se më parë.

Do të goditen edhe bizneset tjera për shkak se vlera e shpenzimeve të domosdoshme për ushqime dhe konzum do të rritet. Shumica absolute e konzumit vjen nga jashtë. Kjo nënkupton që familjet dhe qytetarët do të kenë më pak resurse dhe mundësi për arsim, shëndetësi por edhe për veshje dhe blerje e të gjërave tjera jo ushqimore.

Ky është një tjetër goditje që e bën Kosovën më pak të jetueshme dhe e shton valën e migrimit. Familjet do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përballen me një standard jetese që është bërë i papërballueshëm. E kur rinia largohet, bie edhe produktiviteti i ekonomisë. Lindjet do të zvogëlohen se presion me kriju dhe zhvillu familje do të jetë nën stres edhe më të lartë. Nataliteti do të bie.

Thuhet se kur çmimet rriten, rrallëherë apo kurrë nuk kthehen në nivelin e mëparshëm. Kur buka shkon në 60 cent, vështirë se kthehet prapa. Edhe nëse/kur ndërmerret ndonjë veprim për të shfuqizuar vendimin e ZRRE për rritjen e tarifave, çmimet e tjera ndërkohë janë rritur. Do të jetë jashtëzakonisht e vështirë t’i kontrollosh apo t’i detyrosh të zbresin.

Kjo është fatkeqësia e një politike ekonomike të çoroditur dhe e një vendimmarrjeje skandaloze. Rezultat i institucioneve që quhen publike, por që në fakt duken të kapura dhe funksionojnë jashtë çdo realiteti socio-ekonomik.

Një qeveri që nuk e kupton as ekonominë e as rrezikun e inflacionit dhe që nuk ndërmori asnjë masë për të parandaluar një krizë kaq të rëndë për një ekonomi tashmë të brishtë, dhe për qytetarë të lodhur nga çmime astronomike.

Ky vendim, këto politika, do të mbesin në histori si kulmi i injorancës ekonomike dhe i papërgjegjësisë institucionale, deri në kufijtë e kriminalitetit. Një fatkeqësi kolektive, por e shkaktuar nga faktori njeri. Një situatë ku kishte zgjidhje për t’u shmangur, por “bossat” vendosën se nuk kishte nevojë. Një turp i kohës pasojat e të cilit do t’i vuaj e gjithë shoqëria.


Go to TOP