Nesër përfundon afati / Vërehet rënie e pagesës së tatimit në pronë – Komunat fajësojnë Ministrinë për gjendjen e krijuar

Nesër është afati i fundit për të paguar këstin e parë të tatimit në pronë për këtë vit.

Qytetarët e Kosovës do të gjobiten nga shteti nëse deri nesër nuk do ta paguajnë tatimin.

Afati për këstin e dytë të pagesës në tatimin në pronë është deri më 30 shtator.

Por, nëse pagesa nuk përfundon me kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.

0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës është norma e tatimit në pronë.

Me këtë % nuk janë pajtuar komunat e Kosovës. Ato po kërkojnë normë të ulët për 0.7 apo 0.8%.

Në Komisionin për Buxhet, ministri i Financave, Hekuran Murati tha se në projektligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, përfshihet edhe ulja e pragut të tatimit në 0.15% në 10%.

Më 31 mars Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin në pronën e paluajtshme, dhe i njëjti pritet që të shkoj në Kuvend për votim.

Sazan Ibrahimi fajëson Qeverinë për rënien e pagesës së tatimit në pronë nga qytetarët

Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ka folur për Front Online lidhur me cështjen e pagesës së tatimit në pronë.

Ai tha se numri i qytetarëve që po paguajnë tatimin në pronë është zvogëluar dukshëm.

Ibrahimi thotë se fajin për këtë e kanë Qeveria dhe ministri Murati.

Sipas Ibrahimit, shpresa e fundit për projektligjin për tatimin në pronë qëndron tek Kuvendi.

“Ka rënie në komuna nuk ka interesim të qytetarëve për fajin e Qeverisë dhe Muratit , sepse MF-ja ka shkaktuar mjegullinë për tatimin në pronë. Qytetarët janë duke pritur se çfarë do të ndodh me plotësim ndryshimin e ligjit për tatim në pronë a do të falet apo nuk do të falët”.

“Ne po shpresojmë që Kuvendi nuk do t’i injoroj komunat, ashtu siç e bëri ministri Murati dhe do ftoj për konsulta sepse kjo ka të bëjë me buxhetet komunale. Niveli qendror nuk mund të merr kësi vendime pa pasur komunikim me komunat se ky është një ligj shumë i rëndësishëm”, u shpreh Sazan Ibrahimi për Front Online.

Kryetari i Ferizajt: Projektligji i tatimit në pronë, lojë e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave

Lidhur me tatimet në pronë për Front Online ka folur kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Aliu thotë se ky projektligj është lojë e Qeverisë dhe Ministrisë së Financave,

Tutje, ai thotë se komunat janë të dëmtuara financiarisht.

“Ne kemi kërkuar nga MF-ja më ndërruar qasjen e politikave fiskale dhe buxhetore që kanë të bëjnë më nivelin lokal. Kjo e tatimit është shumë dëmtuese për pushtetin lokal. Komunat e Kosovës janë të dëmtuara shumë, kjo e tatimit në pronë është lojë e tyre e pingpongut më herët kur e kanë bërë vlerësimin e pronave dhe pastaj kanë bartur përgjegjësin tek komunat”, thotë Aliu.

Kryetari i Ferizajt ka kërkuar nga ministri Murati që të ndryshoj qasjen me komunat.

Ai thotë se Hekuran Murati po tenton qasje negative në sukseset e kryetarëve.

“Ne e kemi sqaruar që komunat nuk e kanë këtë përgjegjësi por e ka MF-ja, ata e ndryshuan dhe thanë që  rregullohet me ligj që do të marrin vendim kuvendet komunale, kjo i bie që do të dëmtohen së paku 40% e secilit buxhet të komunave. Kjo nuk është rruga e duhur kur merren vendime për komunat pa kryetarët e komunave. Ky është rasti i fundit që ministri Murati të ndryshoj qasjen negative dhe të qëllimshëm që të ndikojë në sukseset e kryetarëve se edhe qytetarët do të pësojnë rënd ndaj kësaj qasje”, thotë Agim Aliu.

Kryetari i Klinës: Të kthehet tatimi në pronë në gjendjen e mëparshme, ndryshimi i panevojshëm

E, kryetari Zenun Elezaj po thotë që qytetarët e Komunës së Klinës, po e paguajnë tatimin në pronë.

Elezaj vendimin e ministrit të Financave e ka quajtur të panevojshëm.

Ai thotë se komunat janë për ta kthyer tatimin në gjendjen e mëparshme.

“Ne si komunë po presim aprovimin e ligjit në kuvend, se bordi i Asociacionit të Komunave ka dërguar kërkesë në drejtim të kryeministrit dhe po e presim takimin. Në komunën tonë janë duke paguar qytetarët për tatimin në pronë nuk ka ulje të interesimit”.

“Vendimi i ministrit është i panevojshëm se është dashur mos me bërë vlerësimin me e kthyer në gjendjen e mëparshme dhe të mbetet e njëjta situatë, ky është një hap i ngutshëm në faktin se si do të procedohet ligji në kuvend nëse aprovohet se a do të mbetet barrë e komunave, ne jemi për me kthyer tatimin në gjendjen e mëparshme”, tha Elezaj.

Fadil Nura: Vendimi i njëanshëm i Qeverisë për tatimin në pronë, goditje për komunat

Kryetari i Komunës së Skenderajt ndryshe nga ai i Klinës, tha se ka interesim të ulët të qytetarëve për ta paguar tatimin në pronë.

Fadil Nura tha për Front Online se ky projektligj ka sjellur një efekt negativ tek qytetarët.

Ai thotë se Qeveria ka marr vendimin e njëanshëm që nga kjo do te goditen komunat.

“Ka interesim të ulët të qytetarëve për pagesat në tatimin në pronë dhe ka një efekt shumë negativ. Qytetarët janë në hamendshim dhe nuk e dinë se çfarë po ndodh për ata ka rënë edhe interesimi. Ne i kemi projektet e planifikuara prej të hyrave dhe tani mungesa e tyre po i dështon projektet. Me qenë Qeveria që i rimburson këto kish pasur zgjidhje por kanë marr vendim të njëanshëm dhe kjo do t’i godasë komunat dhe projektet”, u shpreh Nura.

Pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100 për qind, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.

Qëllimi i këtij Ligji është të sigurojë progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësor dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit.

Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.

Vlerësimin e fundit, kjo ministri e ka bërë vitin e kaluar, kurse zbatimi i tij në tatimin në pronë ka filluar nga janari i këtij viti.

Vlerësimi paraprak është bërë në vitin 2019.

Front Online ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Financave lidhur me këtë çështje por ata nuk i janë përgjigjur interesimit të portalit.

Çështja e tatimit në pronë është bërë temë diskutimi pas reagimit të qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë treguar se faturat e tyre të tatimit në pronë janë rritur.

Go to TOP