Nëntë vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi, LVV: Ishin negociata për çështje të brendshme dhe udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë

Janë bërë nëntë vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi, e nënshkruar nga Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i Kosovës, dhe Ivica Daçiq i Serbisë, ndërsa sot Vetëvendosje rithekson se marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin.

Vetëvendosje thekson se është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. “Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët”.

Lexoni të plotë postimin e Vetëvendosjes në Facebook:

Në 8 mars të vitit 2011 qeveria e atëhershme filloi bisedimet politike me Serbinë të cilat i quajti bisedime teknike. Këto bisedime filluan vetëm tre vjet pas shpalljes së pavarësisë, tetë muaj pas fitores së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) e cila vulosi legalitetin e shpalljes së pavarësisë, 5 muaj pas rezolutës së OKB-së e cila bënte thirrje për dialog për promovim të bashkëpunimit, progresit dhe përmirësimit të jetës së njerëzve, dhe as 3 muaj pas “të gjeturave” të Raportit Dick Marty.

Ky ishte sfondi kur filluan bisedimet “teknike” me Serbinë, pra në kulmin e arritjes së shtetësisë së Kosovës pas vendimit të GjND-së dhe me një rezolutë të OKB-së që bënte thirrje për përmirësim të jetës së njerëzve.

Si pjesë e opozitës së atëhershme ne jo vetëm kemi kundërshtuar bisedimet politike me Serbinë, madje duke kaluar edhe një rezolutë me 10 mars 2011 në Parlamentin e Kosovës, por edhe kemi protestuar.

Kemi kundërshtuar jo sepse nuk donim kurrfarë dialogu me Serbinë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, por sepse nuk donim negociata politike për çështje të brendshme të Kosovës. Për më keq, këto bisedime politike, e që në fakt ishin negociata për çështje të brendshme, udhëhiqeshin nga njerëz të kompromiseve me Serbinë. Ishin pa parime, pa kufizime dhe pa transparencë.

Ende pa u bërë një vit nga fillimi i dialogut, me 24 shkurt 2012 na sillet marrëveshja e parë politike që njollosi pavarësinë e Kosovës edhe tekstualisht duke i vendosur pavarësisë një fusnotë. Fusnota i bishtnohet pavarësisë duke e ngrehur nga pas UNMIK-un tashmë 10 vjet. Ne protestuam edhe kundër kësaj fusnote kurse ata që e sollën na thanë se ishte një fjollë bore që do shkrihej me ardhjen e pranverës.

Një vit pas njollosjes së pavarësisë, me 19 prill 2013, qeveria e atëhershme nënshkroi marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (“Zajednica”) duke e negociuar kështu veriun e Kosovës me Serbinë e duke e shkelur rëndë kushtetutën e vendit, karakterin shumetnik dhe decentralizimin etnik të së secilës e kishin mbrojtur me aq zell.

Marrëveshja e 19 prillit 2013 shkel në tërësinë e saj karakterin shumetnik të kushtetutës, por edhe parimin e vetëqeverisjes lokale, organizimin dhe kompetencat e komunave duke krijuar kështu një institucion të ri njëetnik  i cili vendoset mbi komunat e në mes pushtetit qendror dhe atij lokal me rol përfaqësues e si organ vendimmarrës e organizativ vetëm për komunat me shumicë serbe. Thënë shkurtë, një ‘Republika Sërpska’ në tentativë brenda Kosovës.

Ashtu siç ndodhi edhe me shumë marrëveshje të tjera të dëmshme, qeveria asokohe e PDK-së u kujdes që këtë akt të rëndë të shkeljes së kushtetutës e sovranitetit të vendit ta “legjitimojë” në parlamentin e Kosovës. Në orët e mesnatës së 21 prillit, 2013, 89 deputetë në mesin e tyre pothuajse të gjithë opozitarët e AAK-së dhe LDK-së të cilët dy vite më herët kishin votuar kundër rezolutës për bisedime me Serbinë, ngritën duart për ta votuar rezolutën që mbështeste Asociacionin njëetnik.

Marrëveshja e 19 prillit e cila 6 nenet e para i ka për “Zajednicën” është marrëveshje për të ndryshuar karakterin e shtetit të Kosovës. Përtej “Zajednicës”, ajo parashihte krijimin e një sërë institucionesh paralele për minoritetin serb në Kosovë. Në aspektin politik e organizativ marrëveshja parashihte formimin e asociacionit etnik vetëm për komunat serbe, në aspektin gjyqësor parashihte gjykatën paralele të apelit, të cilën e realizuan, kurse në aspektin e sigurisë parashihej edhe pushtet policor duke emëruar komandantin rajonal vetëm për katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Kur në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese interpretoi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për kompetencat e Asociacionit të nënshkruar nga LDK dhe PDK e që buronte nga Marrëveshja e 19 prillit 2013, ajo e nxori asociacionin të paligjshëm dhe praktikisht të pazbatueshëm pasi nuk ka vend në kushtetutën shumetnike për organizma një-etnik.

Këto ishin negociatat me Serbinë pa parime e pa transparencë e që i bënë aq shumë dëm pavarësisë së Kosovës e cila tashmë ishte shpallur mbi kompromiset e shumta me Pakon e Ahtisaarit.

Kjo është edhe trashëgimia që na lanë pas në këtë dialog: ne opozita e dikurshme që protestonte kundër Pakos së Ahtissarit me decentralizim etnik, sot në qeveri duhet ta mbrojmë Kosovën (me gjithë Pakon e Ahtissarit) nga asociacioni njëetnik.

E sikur kjo të mos mjaftonte për të keq, po atë ditë, më 19 prill 2013, ish Kryeministri Thaçi i dërgoi letër ish Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, ku  njëanshëm i zotohej që FSK-ja nuk do të kalojë lumin Ibër!

Duhet të rikujtojmë e risjellim në vëmendje që statusi i Kosovës është vendosur me 17 shkurt 2008 dhe se Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ajo që ka mbetur pa u zgjidhur është statusi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Është evidente që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën prandaj edhe nevojitet njohje reciproke ashtu edhe siç e ka theksuar Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden. Kjo njohje duhet të vijë nga një dialog parimor e transparent ndërmjet palëve të barabarta, ku – ashtu siç është përcaktuar në rezolutën e OKB-së për dialog – përfitues duhet të jenë qytetarët.

Go to TOP