Nën ndikimin e alkoolit goditi me shuplakë bashkëjetuesin, e akuzuara dënohet me 200 euro gjobë

E akuzuara I.R, është dënuar me 200 euro gjobë, pasi pranoi se në mars të vitit të kaluar, nën ndikimin e alkoolit e ka sulmuar fizikisht bashkëjetuesin e saj, D.D.

Një vendim i tillë, është marrë të mërkurën, në seancën fillestare, nga gjykatësja e Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Valbonë Dërvodeli.

I dëmtuari D.D, për realizimin e kërkesës pasurore-juridike është udhëzuar në kontest-civil.

Kundër këtij aktgjykimi, gjykatësja Dërvodeli i ka njoftuar palët se kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit, brenda afatit të paraparë ligjor.

Fillimisht, pasi prokurorja Sllavica Popoviq ia lexoi aktakuzën, e akuzuara I.R, e ka pranuar fajësinë, duke thënë se është penduar për atë veprim dhe se më nuk do të përsërisë vepra të tilla penale.

Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurorja Popoviq si dhe këtë e ka aprovuar gjykatësja Dërvodeli, e cila edhe ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 14 prill 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj I.R, me arsyetimin se në mars të 2021-ës, në Komunën e Kamenicës, ajo nën ndikimin e alkoolit, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të dhimbjes, ka sulmuar fizikisht bashkëjetuesin e saj, D.D.

Sipas prokurorisë, derisa po udhëtonin me taksi, të dy fillojnë një mosmarrëveshje verbale rreth punës që po bënte e akuzuara dhe sapo taksi ndalet, që të dy dalin nga vetura dhe vazhdojnë fjalosen ndërmjet vete, me ç’rast e akuzuara e sulmon të dëmtuarin me shuplakë në faqe, e kapë për rroba dhe e shtynë.

Me këtë, I.R, akuzohej se ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Go to TOP