Në Shkup u lansua nisma e katër shteteve të Ballkanit Perëndimor

Në Shkup u lansua nisma e katër shteteve të Ballkanit Perëndimor të cilat kanë rreshtuar 100% politikën e Jashtme dhe të Sigurisë me atë BE-së – QUAD

Nën organizimin e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, në Shkup u lansua nisma e katër shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë rreshtuar 100 për qind politikën e jashtme dhe të sigurisë me atë BE-së, QUAD.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës thuhet se nisma jo formale është në përbërje të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

“Ky kuadrat i shteteve vijon të përafrojë në vazhdimësi dhe të përditësojë çdo politikë të Jashtme e të Sigurisë së BE-së dhe ShBA-ve, veçanërisht në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si rrjedhojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë”.

“Shtetet me qëndrim të tillë do të vijojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në funksion të mirëmbajtjes së kësaj trajektoreje përafruese me botën perëndimore. Krahas nikoqirit, ministrit Osmani, pjesë e nismës ishte zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës,  Kreshnik Ahmeti, ministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, dhe këshilltari për Politikë të Jashtme i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviq.

Go to TOP