Në prag të fillimit të fushatës zgjedhore

Shkruan: Agron ABAZI

Po hyjmë në muajin e fushatës zgjedhore. Subjektet politike, ndonëse veq kanë filluar javë më parë me tubime, sidomos me mobilizimin për të “peshkuar” votat nga diaspora, megjithatë duhet ditur se fushatat zgjedhore përfaqësojnë një moment thelbësor për demokracinë, ku qytetarët kanë mundësinë të dëgjojnë programet e partive politike dhe të bëjnë një zgjedhje të lirë e të vetëdijshme.
Që në prag të zgjedhjeve parlamentare të shtetit, një pjesë e deklaratave dhe sjelljeve të politikanëve në Kosovë ngrenë shqetësime mbi nivelin e pjekurisë politike dhe korrektësisë në debatet publike.

Është vënë re se shumë politikanë zgjedhin të bëjnë deklarata të pamatura dhe pa baza të qarta argumentimi. Këto deklarata shpesh përqendrohen më shumë në diskreditimin e kundërshtarëve sesa në prezantimin e ideve të reja apo zgjidhjeve për problemet që shqetësojnë qytetarët. Kjo qasje jo vetëm që krijon një klimë tensioni, por edhe largon vëmendjen nga çështjet reale me të cilat përballet vendi, si papunësia, arsimimi, shëndetësia, emigrimi dhe zhvillimi ekonomik.

Politika duhet të bazohet në ide dhe programe, jo në akuza boshe. Mungesa e argumenteve konkrete dhe përdorimi i retorikës emocionale shpesh synojnë të manipulojnë opinionin publik, duke lënë pas dore nevojën për transparencë dhe përgjegjësi.

Etika në fushatë është domosdoshmëri, e që fatkeqsisht është jo në nivelin e kënaqshëm. Një fushatë zgjedhore korrekte dhe dinjitoze është thelbësore për të garantuar një proces zgjedhor demokratik dhe kjo nënkupton:
Mos përfshirjen e çështjeve personale dhe moraliteteve: Jetët private të kandidatëve nuk duhet të jenë objekt i diskutimeve politike. Fokusi duhet të mbetet te aftësitë dhe vizioni i tyre për të udhëhequr vendin. Sulmet personale jo vetëm që dëmtojnë imazhin e garës politike, por edhe largojnë qytetarët nga procesi zgjedhor.

Politikanët që synojnë karrigen e parlamentarit duhet të përmbahen nga përdorimi i gjuhës përçarëse dhe manipulimet e qëllimshme për të përfituar mbështetje. Zgjedhësit meritojnë një fushatë të bazuar në integritet dhe respekt të ndërsjellë.
Duhet theksuar se rrjetet sociale, janë shndërruar si një armë me dy tehe. Në epokën e teknologjisë, rrjetet sociale kanë luajtur një rol të rëndësishëm në komunikimin politik. Megjithatë, ato shpesh keqpërdoren për të sulmuar kundërshtarët pa argumente apo për të shpërndarë dezinformata.

Është thelbësore që të gjitha subjektet politike të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në përdorimin e këtyre platformave. Në këtë kontest, përhapja e lajmeve të rreme apo postimeve që nxisin urrejtje ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e debatit publik dhe ul besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor. Kjo kërkon një angazhim të përbashkët për t’i dhënë prioritet transparencës dhe informimit të saktë.
Fushata zgjedhore duhet të jetë një arenë ku idetë dhe zgjidhjet e ndryshme garojnë në mënyrë që subjektet politike duhet të fokusohen në programet e tyre, duke prezantuar zgjidhje të qarta dhe të realizueshme për problemet e qytetarëve.

Media dhe shoqëria civile duhet të luajnë një rol aktiv në monitorimin e fushatës, duke evidentuar manipulimet dhe gjuhën përçarëse. Qytetarët duhet të jenë kritikë dhe të informuar, duke vlerësuar programet dhe jo retorikën boshe.
Dhe si përfundim, Kosova ka nevojë për një fushatë zgjedhore që promovon demokracinë dhe ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve.

Politikanët dhe partitë kanë një përgjegjësi të madhe për të treguar pjekuri politike, për të respektuar kundërshtarët dhe për të ruajtur dinjitetin e garës zgjedhore. Vetëm përmes një fushate korrekte dhe të përgjegjshme mund të sigurohet që zgjedhjet të jenë vërtet një reflektim i vullnetit të popullit.

Go to TOP