Në konferencën ‘Shqiptarët dhe Lufta e Parë Botërore’ paraqiten 23 studiues

Sot nis konferenca shkencore ndërkombëtare “Shqiptarët dhe Lufta e Parë Botërore”. Kjo konferencë organizohet me rastin e 110-vjetorit të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Teuta Shala-Peli, drejtoreshë e Institutit të Historisë “Ali Hadri”, theksoi se interesimi i studiuesve ka qenë i nivelit shumë të kënaqshëm, kurse me kumtesa do të paraqiten 23 studiues.

Ajo në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se studiuesit do të jenë nga vendi, rajoni dhe Evropa.

“Studiuesit do të jenë nga Kosova, Instituti i Historisë – Departamenti Histori, Fakulteti Filozofik, Instituti i Historisë – Tirana, nga Instituti Albanologjik – Maqedonia, një studiues nga Graci dhe një profesoreshë nga Universiteti i Gjermanisë, e cila do të kyçet online”, tha ajo.

Tutje ajo theksoi se kumtesat që do të prezantohen do të vënë në pah gjendjen e Shqipërisë në atë kohë sepse Shqipëria me rastin e fillimit të Luftës së Parë Botërore nuk ishte në gjendje të favorshme. Kumtesat që do të prezantohen do të shpalosin detaje dhe do të kapin detaje interesante nga gjitha këto sfida, po ashtu edhe pasojat me të cilat u përball jo vetëm Shqipëria, por shqiptarët në përgjithësi si pasojë e kësaj lufte.

Interesim për këtë konferencë, përveç shqiptarëve, kishte edhe nga studiues të huaj.

“Dy studiuesit e huaj, profesori nga Graci dhe profesoresha nga Gjermania, të dy temat që do të prezantohen sot do të kapin problemin që lidhet drejtpërdrejt me problematikën e shqiptarëve në kuadër të Luftës së Parë Botërore dhe fuqive të mëdha në atë kohë”, pohoi Shala-Peli.

Go to TOP