“Ndjej dhembje, ajo ishte familja ime”, thotë i akuzuari se vrau gruan dhe theri me thikë shoqen e vajzën e gruas në Gjermani

Me mbrojtjen e të akuzuarit Afet Gunter Vila, i akuzuar për veprat penale “vrasje” dhe “plagosja e rëndë”, ka vazhduar gjykimi të hënën në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

I akuzuari Gunter-Vila me kërkesë të avokatit të tij Avni Ibrahimi ka përshkruar natën kritike që kishte ndodhur në Gjermani më 2002.

“Unë kam punuar pesë ditët e javës, madje ndonjëherë edhe të shtunave. Unë kam jetuar në Gjermani me bashkëshorten time I.G. dhe vajzën e saj. Me bashkëshorten kemi pas marrëdhënie të mira, kemi punu të dy kemi jetu mirë, raporte të mira kam pas edhe me fëmijët e saj i kam dërguar në shkollë u kam përgatitur ushqim jam kujdesur për ta”, tha i akuzuari Afet Gunter Vila.

I njëjti tha se bashkëshortja e tij kishte shoqëri, kolegë, poashtu ishte e shoqëruar me vajzën e vëllaut të saj, ndërsa shtoi se nuk e kishte ndaluar asnjëherë të dilte me shoqërinë e
saj, në përjashtim të shoqes së saj D.K., për të cilën tani i akuzuari tha se nuk kishte përshtypje të mira për atë, andaj dhe bashkëshortes i kishte thënë të mos shoqërohej me D.K.

“Ne i patëm dhënë ca para hua D.K., pas një kohe ajo na i ktheu ato para, pas kësaj bashkëshortja më pati treguar se D.K. shkonte me tre persona, kështu unë nënkuptova se ajo po ushtronte prostitucion dhe nga ajo punë po fitonte para, ky ishte shkaku që unë nuk doja më ta shihja në shtëpinë time dhe të dilte me bashkëshorten time”, rrëfeu i akuzuari Gunter-Vila.

Sipas të akuzuarit Gunter-Vila, ngjarja kritike nuk do të ndodhte nëse D.K. të mos ishte prezente në shtëpi apo të ishte larguar nga shtëpia kur i kishte thënë tani i akuzuari Afet që e njëjta të largohej nga aty.

“Viti 2002 unë nuk mbaj mend as datën as ditën, poashtu nuk di a ka qenë ditë pune, gjithashtu ka kaluar kohë e gjatë dhe nuk mbaj mend, di se kam qenë në ndikim të alkoolit, atë ditë kur dola nga shtëpia shkova në një kafene, pastaj me kujtohet se e kam telefonuar bashkëshorten e cila nuk u përgjigje”, deklaroi tutje i akuzuari Afet Gunter Vila.

I njëjti, shtoi se kur u kthye në banesë, aty kishte takuar bashkëshorten dhe vajzën e saj, poashtu aty kishte qenë dhe D.K. së bashku me foshnjën e saj 8 muajshe.

“Si kam hy brenda në banesë, kur pash aty D.K. direkt i kam thënë të largohej nga shtëpia ime, ajo nuk largohej dhe filloi të më fyente, më tha unë nuk jam as shqiptare dhe as gjermane, unë kam gjak rusi, më tha mirë ua ka ba shkavi juve, e të tjera ofendime të rënda”, rrëfeu i akuzuari Gunter-Vila.

I akuzuari Afet Gunter Vila, shtoi se nga ofendimet e D.K., kishte filluar përleshja mes fjalësh, ndërsa bashkëshortja e tij tha se përpiqej të qetësonte situatën mes tyre, por që tani i akuzuari tha se ishte kategorik që ajo vetëm të largohej nga shtëpia.

“Isha në ndikim të alkoolit, pastaj u ndikova nga fjalët e saj, ndjehesha i ofenduar rëndë, mbaj mend që D.K. i ka kërkuar thikë vajzës së bashkëshortes sime, kur tutje në kuzhinë unë i mora nga dora thikën D.K. ndërsa pas kësaj nuk mbaj mend asgjë tjetër”, ka deklaruar i akuzuari Gunter-Vila.

I akuzuari Afet Gunter Vila tha se pas kësaj ngjarje, i kujtohet se ka dalë nga terasa e banesës dhe natën e kishte kaluar në një kafene, kështu nga Düsseldorf kishte shkuar me tren në Belgjikë, ku kishte qëndruar dy ditë, pastaj nga aty kishte udhëtuar për në Francë ku kishte kaluar natën, e më pas kishte shkuar në Romë.

“Unë gjatë kësaj periudhe ku po udhëtoja i vetëm, nuk isha në dijeni që bashkëshortja ka ndërruar jetë, nëpër qytete kam kaluar natën duke fjetur në rrugë në shtëpi të vjetra të pabanuara, gjithçka punoja për 10 euro, sepse nuk kisha para”, ka rrëfyer tutje ai.

“Unë ndjej shumë dhembje, shumë keqardhje, jam shumë i penduar, unë i doja, ajo ishte familja ime” tha në fund të mbrojtjes së tij i akuzuari Afet Gunter Vila.

Tutje, gjatë këtij shqyrtimi prokurori Valdet Avdiu propozoi shtyrjen e kësaj seance për arsye se kjo lëndë është përfaqësuar që nga fillimi nga prokurori Rasim Maloku, ndërsa në seancën e sotme i njëjti nuk mund të ishte prezent për shkak të angazhimeve profesionale, ndërsa me qëllim që të mos dështoj seanca e sotme, lënda u përfaqësua në këtë seancë nga prokurori Valdet Avdiu.

Propozimin për shtyrjen e seancës nuk e refuzoi mbrojtësi i viktimave Ibrahim Tërstena dhe mbrojtësi i të akuzuarit Afet Gunter-Vila, avokati Avni Ibrahimi.

Në këto rrethana seanca e sotme u shty dhe ajo e radhës u caktua më 19 prill 2022.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 9 nëntor 2002, në dhomën e pritjes të banesës së përbashkët familjare në rrugën “Dietrichstrase”, nr.4 në Bad Oeynhause, Republika e Gjermanisë, Afet Gunter Vila me dashje e kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij I.G., pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kishte me tani të ndjerën gjatë periudhës njëvjeçare sa kishin jetuar së bashku në banesë.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të xhelozisë që i pandehuri e kishte ndaj bashkëshortes së tij, për të cilën dyshonte se po e tradhtonte me persona të tjerë, në ditën kritike i pandehuri kishte tentuar ta marrë në telefon disa herë, por bashkëshortja e tij nuk ishte lajmëruar pasi e kishte harruar telefonin në banesë, derisa me shoqen e saj D. kishin shkuar për të marrë me qira disa CD me filma.

Tutje, sipas dispozitivit I të aktakuzës, me t’u kthyer në banesë bashkëshortja e të pandehurit me shoqen e saj, ku aty po qëndronte dhe vajza e saj H., i pandehuri fillimisht i kërkon llogari bashkëshortes se pse nuk është përgjigjur në telefon, duke ngritur zërin vazhdimisht, kurse I. kishte tentuar ta bind se telefonin e kishte harruar në banesë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri pas kësaj ishte acaruar dhe më shumë duke e përmbysur një tavolinë, e pastaj I. e kishte kërcënuar me fjalët “Ti do të vdesësh”, kurse D., shoqes së I. i kishte kërkuar që të largohej nga banesa, me ç’rast e njëjta kishte refuzuar.

Më pastaj, i pandehuri, e kishte kapur me dy duar për supe I., duke e shkundur para-mbrapa, e cila arrin ta largojë të pandehurin, mirëpo i njëjti e kishte tërheq për flokë, me ç’rast kishin ndërhyrë D.-shoqja e saj dhe H.-vajza e saj që ta largojnë nga i pandehuri.

Por, sipas aktakuzës, i pandehuri atëherë kishte marrë një thikë nga kuzhina me teh rreth 20 cm, me të cilën kishte goditur një herë D.-shoqen e I. në pjesën e kraharorit e pastaj H.-vajzën e I. në pjesën e barkut, e pastaj ishte afruar I., të cilën e kishte goditur tri herë me thikë, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse për shkak të gjakderdhjes së madhe, kështu e njëjta të nesërmen kishte vdekur në spitalin e Bad Oeynhausen-it.

Me këtë, i akuzuari thuhet se ka kryer veprën penale “Vrasja“ nga neni 30 paragrafi 1 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Sipas dispozitivit II të aktakuzës, i pandehuri akuzohet se më datë, kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, me dashje i kishte shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarës H.G. (vajzës së të ndjerës I.G., e moshës 14 vjeçare) dhe D.K. (shoqja e të ndjerës), në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte duke u grindur me tani të ndjerën I.G., e dëmtuara D.K. kishte tentuar të thërrasë policinë përmes telefonit.

Atëherë, i pandehuri me thikë kuzhine me gjatësi 20 cm kishte goditur të dëmtuarën D.K. në anën e djathtë të kraharorit duke i shkaktuar plagë prerëse, shpuese tamgjenciale, të cilat kishin shkaktuar dëmtime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin e të dëmtuarës.

Tutje, më pastaj i pandehuri kishte goditur të dëmtuarën H.G.- vajzën e të ndjerës, në pjesën e barkut, duke i shkaktuar plagë prerëse në anën e majtë të abdomenit me dëmtim të zorrës së hollë, gjakderdhje arteriale, dëmtim i apendiksit (zorrës qorre), në retroperitoneum, me ndërhyrje operative, heqje të një pjese të zorrës së hollë dhe apendiksit, të cilat kanë shkaktuar dëmtime të rënda trupore, të rrezikshme për jetën e të dëmtuarës në momentin e shkaktimit.

Me këtë thuhet se ka kryer veprën penale “Plagosja e Rëndë” nga neni 38 paragrafi 2 të Ligjit Penal të KSAK-së (Gazeta zyrtare numër 20/77), i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Go to TOP