NATO-ja: Moment i rrezikshëm, po tkurret koha paralajmëruese për sulmin rus

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se numri i trupave ruse në kufirin me Ukrainën është duke u rritur, ndërsa koha paralajmëruese për sulm të mundshëm është duke u tkurrur. Ai e dha këtë deklaratë pas takimit me Kryeministrin e Britanisë, Boris Johnson, të enjten në Bruksel.

“Ky është një moment i rrezikshëm për sigurinë evropiane. Numri i forcave ruse është duke u rritur. Koha paralajmëruese për një sulm të mundshëm është duke u pakësuar”, tha Stoltenberg.

“NATO-ja nuk është kërcënim për Rusinë, por ne duhet të përgatitemi për më të keqen derisa mbetemi të përkushtuar fuqishëm për gjetjen e një zgjidhjeje politike”, shtoi ai.

Rusia besohet se ka mbi 100.000 trupa afër kufirit të Ukrainës dhe këto ditë, ushtria ruse do të zhvillojë edhe ushtrime të përbashkëta ushtarake me forcat bjelloruse në Bjellorusi.

NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane e kanë paralajmëruar Rusinë se do të përballet me sanksione të ashpra, nëse e pushton Ukrainën. Në anën tjetër, Rusia ka paraqitur kërkesa për garanci  të sigurisë, përfshirë kërkesën për mosanëtarësimin e Ukrainës në NATO.

Pavarësisht tensioneve dhe gjuhës së ashpër, figura të larta perëndimore po bëjnë përpjekje që përmes diplomacisë me Rusinë t’i ulin tensionet rreth mosmarrëveshjeve për Ukrainën dhe NATO-n. Presidenti i Francës së fundi shkoi në Moskë në përpjekje për të siguruar zotim nga Rusia se nuk do ta tensionojë edhe më shumë situatën.

Go to TOP