NATO e shqetësuar për retorikën secesioniste në Bosnje

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur shqetësimin e aleancës për retorikën secesioniste dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë dhe ka shprehur mbështetjen e plotë të NATO-s për integritetin territorial të këtij shteti.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një konference për media në Bruksel së bashku me kryesuesin aktual të Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq.

Ndonëse Stoltenberg nuk përmendi emra, deklarata e tij duket se u bë në referencë për udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh bën paralajmërime për shkëputjen e entitetit të Republikës Sërpska nga Bosnje e Hercegovina.

Dodik, që është nën sanksione amerikane, mban lidhje të ngushta me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe kundërshton procesin e integrimit të Bosnjës në NATO.

Bosnje e Hercegovina është shtet që është pjesë e integrimit në aleancë përmes Planit të Veprimit për Anëtarësim të NATO-s i njohur me shkurtesën MAP.

“NATO mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje e Hercegovinës. Në të njëjtën kohë jemi thellësisht të shqetësuar me retoriken secesioniste dhe përçarëse që dëgjohet në Bosnje e Hercegovinë”, tha Stoltenberg.

Ai u bëri thirrje udhëheqësve politikë në Bosnje që të punojnë për forcimin e paqes dhe stabilitetit.

“NATO mbështet reformat në fushën e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë në këtë drejtim, përfshirë edhe në modernizimin e forcave të armatosura. NATO-ja ka përshëndetur edhe avancimin e Bosnje e Hercegovinën në procesin e integrimeve në BE”, tha Stoltenberg.

Ndërkaq kryesuesi i radhës i Presidencës trepalëshe të Bosnje e Hercegovinës, Denis Beqiroviq, tha se shumica e e qytetarëve të shtetit të tij mbështesin anëtarësimin në NATO. Ai tha se për vendin e tij, mbështetja nga NATO-ja është jetike për të ruajtur paqen dhe sigurinë.

“NATO edhe përmes vendimeve të organeve shtetërore të Bosnje e Hercegovinës ka kompetenca të veprojë në rast se stabiliteti i vendit vihet në rrezik”, u shpreh ai.

Beqiroviq tha se pret që Bosnja të bëjë hapin e radhës në raport me NATO-n dhe të marrë ftesë për t’u bërë anëtare.

Por, shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, tha se Bosnja duhet të vazhdojë punën në përmbushjen e kushteve në mënyrë që të marrë ftesën për anëtarësim.

“Bosnja e Hercegovina ka statusin e vendit që ka Planin e Veprimit për Anëtarësim. Por, janë dy kushte. E para është që të bëhen reformat e duhura dhe kjo duhet të vazhdohet. Kushti i dytë është që populli dhe autoritetet në Bosnje e Hercegovinë duhet të dëshirojnë anëtarësimin. Anëtarësimi nuk do të vijë nesër, por duhet të punohet në këtë drejtim”, tha Stoltenberg.

Së fundi, aleanca është zgjeruar duke pranuar edhe dy anëtarë, Suedinë dhe Finlandën. Që një shtet të anëtarësohet në aleancë, duhet mbështetje unanime nga 32 aleatët.

Go to TOP