Naim Hajra shpall kandidaturën për deputet në listën e LDK-së: Hyj për të punuar dhe për të fituar

Naim Hajra nga dega e LDK-së në Mitrovicë ka njoftuar zyrtarisht kandidimin e tij për deputet në listën e kësaj partie për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në deklaratën e tij, Hajra thekson se nuk është pjesë e garës “për të mbushur listën apo për foto dhe premtime sezonale”, por siç shprehet ai, hyn në politikë për t’u përballur me sfidat dhe për të punuar me përkushtim për ndryshim.

Ai nënvizon se beson në rëndësinë e dijes, profesionalizmit dhe guximit për të thënë të vërtetën si mjete thelbësore për rikthimin e funksionimit të shtetit në binarë. Sipas tij, historia nuk është ndryshuar asnjëherë nga ata që kanë ruajtur rehatinë personale, por nga njerëz që kanë vendosur të thonë “mjaft” në momentet vendimtare.

Hajra shton se Kosova ndodhet në një fazë të rëndësishme dhe kërkon angazhim të përbashkët për të ardhmen e saj. Ai shprehet i gatshëm të japë kontributin e tij në këtë rrugë duke theksuar se është i vendosur dhe i pandalshëm në angazhimin e tij politik.

Në fund të deklaratës, me një notë ironike, ai shton se “më votuat apo s’më votuat, telefoni mbetet i hapur” duke lënë të kuptohet gatishmërinë e tij për komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. /Kosova.info/


Go to TOP