Nagavci në ditën e shkollës që mban emrin e heroit, Yll Morina

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, mori pjesë në shënimin e Festës së Shkollës “Yll Morina”, në Gjakovë, aty ku u nderua sakrifica e heroit, Yll Morina.

Nagavci, fillimisht vendosi lule mbi varrin e heroit, në shenjë nderimi për sakrificën sublime të tij, ndërsa në fjalën e saj para të pranishmëve tha se, 15 marsi i ’99-ës ka lënë gjurmë të pashlyera. “Për çka mbajmë përgjegjësinë jo vetëm për t’i ruajtur kujtimet, por për t’u rrëfyer fëmijëve tanë të vërtetat historike mbi të cilat është ndërtuar historia e re e Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Ministrja, tutje, theksoi se, ditë si kjo, kur nderohet kujtimi i të rënëve, janë momente reflektimi për secilin.

Duke folur për figurën e heroit Yll Morina, ministrja Nagavci tha se, me një emër të tillë, misioni fisnik i shkollës shkon më larg se aq, duke marrë një dimension historik dhe kombëtar.

Ndër të tjera, Nagavci ka folur edhe për punën e Ministrisë së Arsimit drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit në të gjithë sektorët e tij, përfshirë infrastrukturën fizike, ku në Gjakovë tha se janë investuar mbi 12 milionë euro në ndërtime, rinovime e adaptime, furnizime për biblioteka dhe pajisje laboratorike.

Për rëndësinë e kësaj dite dhe figurën e heroit Yll Morina folën edhe drejtor i shkollës, Berat Bejtullahu dhe drejtoresha Komunale e Arsimit, Eranda Kumnova Baçi, ndërsa të pranishëm ishin familjarë e bashkëluftëtarë të Yll Morines, përfaqësues të autoriteteve komunale, arsimtarë e mësimdhënës dhe nxënës. /Kosova.info/


Go to TOP