Muzeu i muzikës, asnjë punë nuk është bërë që nga djegia e tij

Kur zjarri dogji Muzeun e Muzikës në gusht të vitit të kaluar në Gjakovë, ishte thënë se së shpejti objekti do të rinovohet. Këtë e mori përsipër Ministria e Kulturës. Por nga ajo kohë nuk është bërë asnjë punë. Sidoqoftë, në këtë dikaster thonë se janë në procedura të prokurimit dhe sapo të përgjigjet kompania, kjo ndërtesë e vitit 1650, do të rikthehet ashtu siç ishte.

Muzeu i Muzikës në Gjakovë, apo monumenti i Taphanës, pas zjarrit më 30 gusht të vitit të kaluar, vazhdon të ketë pamje të trishtë. Nga djegia, nuk shpëtoi asgjë në këtë objekt me vlera të veçanta të trashëgimisë.

7 muaj më vonë, përveç sigurimit të objektit të dëmtuar nga Ministria e Kulturës, asgjë nuk është bërë për rindërtim.

Qytetarët  e shohin të vonuar fillimin e punimeve në këtë objekt të rëndësisë së veçantë për Gjakovën.

Zyrtarë nga Ministria e Kulturës, në përgjigje me shkrim, sqaruan se pas fazës së rrethimit të objektit, është hartuar projekti se si do të bëhet restaurimi i këtij aseti. Nga ministria deklarojnë se  është e hapur procedura e prokurimit dhe sapo te zgjedhet kompania do të fillojnë punimet.

E këtë lajm të Ministrisë e  mirëpresin edhe zyrtarët komunal në Gjakovë.

“Pritet që të bëhet një memorandum në mes komunës së Gjakovës si pronare e objektit të Tabhanës dhe Ministrisë kulturës e cila do ti bëjë investimet për rindërtim. Gjithashtu edhe komuna e Gjakovës e ka një buxhet të caktuar që do të intervenojë në objekt”, tha për RTK-në drejtori i Muzeurt Besmir Hasi

Objekti i parë i Tabhanës, është një monument i trashëgimisë kulturore në Gjakovë, i ndërtuar buzë lumit Krena nga esnafët e tabakëve në vitin 1650.

Go to TOP