Mustafa: Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë, domethënëse, por jo arsye për krenari
Ish-Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka shprehur shqetësimet e tij mbi zhvillimet e fundit në vend, përfshirë vizitën e Shefit të CIA-s, William Burns, dhe trajtimin e Urës së Ibrit nga qeveria. Në një përgjigje për Nacionalen, Mustafa thekson se ndërsa vizita e Burns është për t’u vlerësuar, ajo nuk është një arsye për krenari.
“Vizita e William Burns është historike në kontekst negativ, duke qenë se për herë të parë në historinë e pasluftës, lidershipi i Kosovës është rreshtuar në një paralele me Dodik të Republika Serpska dhe Vuçiq të Serbisë,” tha Mustafa, duke theksuar se mesazhet e CIA-s kanë qenë të qarta se çfarë Kosova nuk guxon të bëjë.
Lidhur me çështjen e Urës së Ibrit, Mustafa e konsideron fushatën e qeverisë si “një lojë të ulët dhe të papërgjegjshme.”
Ai shton se popullizmi i shfrenuar dhe sulmet ndaj vendeve të QUINT-it dhe SHBA-së kanë qenë të papranueshme.
“Ishte e neveritshme të shohësh anëtarët e qeverisë dhe deputetët e opozitës në rolin e ‘rojeve të urës’,” përfundoi Mustafa. /Kosova.info/