EKONOMI

Mustafa: Eksporti shënon një rritje mbi 60 për qind, por çmimet do të rritën

Kryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Berat Mustafa, ka folur për rritjen e çmimeve të produkteve në vend.

Ai tha se kjo rritje nuk është vetëm në Kosovë por në të gjithë globin dhe se sipas tij, një rritje e tillë vije si shkak i rritjes së kostos së transportit të mallrave.

“Rritja e çmimeve është nivel global, pra nuk është rritje vetëm në Kosovë por është rritje në të gjithë botën. Për ngritjen e çmimeve ka disa faktorë, por njëri ndër kryesorët është transporti”.

“Pra, transporti është një kosto e madhe për prodhuesit dhe me ngritjen e çmimit të transportit kanë filluar të rriten edhe çmimet”, është shprehur Mustafa në emisionin “7 Ditë me Panxhën” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se në shtator ishte një tendencë për rënie të çmimeve por që ditëve të fundit ka një njoftim se ka rritje të çmimeve në berzen ndërkombëtare të lëndës së parë përkundër faktit që nuk ka mungesë të lëndës së parë.

“Pra, nuk do të ketë rënie të çmimeve por do të ketë rritje të çmimeve. Nuk ka mungesë të lëndës së parë. Ne si prodhues i kemi kushtuar rëndësi speciale furnizimit të prodhuesve me lëndë të parë, por do të ketë rritje të çmimeve për shkak të kostos së transportit detar”, ka thënë Mustafa, njofton Klankosova.tv.

Ndërsa, sa i përket eksportit, Mustafa tha se sipas statistikave të fundit, eksporti shënon një rritje mbi 60 për qind dhe se të gjithë prodhuesit kanë një rritje të konsiderueshme në prodhimtarinë e vendit.