Musk thotë se fabrikat e reja të veturave Tesla po humbin miliarda dollarë

Fabrikat e reja të veturave të Teslas në Teksas dhe Berlin po “humbin miliarda dollarë” për shkak të mungesës së baterive dhe çështjeve të portit të Kinës, njoftoi së fundmi shefi ekzekutiv Elon Musk.

“Të dy fabrikat e Berlinit dhe Austin janë furra gjigante parash. Mirë? Me të vërtetë është si një tingull gjigant gjëmues, e cila është zhurma e parave në zjarr”, tha Musk në një intervistë me Tesla Owners Silicon Valley, e cila ishte realizuar muaj më parë.

Intervista ishte ndarë në tri pjesë, ku e fundit u publikua të mërkurën, raporton reuters.

Musk tha se fabrika e Teslas në Teksas prodhon një numër “të vogël” të veturave për shkak të sfidave rreth mungesës së baterive të reja “4680 ndërsa mjetet për të prodhuar bateritë e saja konvencionale 2170 kanë ngecur në portin e Kinës”.

Mbyllja ndikoi në prodhimin e veturave jo vetëm në fabrikën e Teslas në Shangai, por edhe në fabrikën e saj në Kaliforni, e cila shfrytëzon disa pjesë automjetesh të prodhuara në Kinë.

“Dy vitet e fundit kanë qenë një makth absolut i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit, njëra pas tjetrës, dhe ne nuk jemi ende jashtë saj”, tha Musk.

Shqetësimi dërrmues i Teslas, tha ai, është “si t’i mbajmë në funksion fabrikat në mënyrë që të paguajmë njerëzit dhe të mos falimentojmë”.

Musk tha në fillim të kësaj jave se një ulje prej 10 për qind të pagave të stafit në Tesla do të ndodhë brenda tre muajve. Njeriu më i pasur në botë tha gjithashtu se një recesion në SHBA ka më shumë gjasa të ndodh sesa jo.

Tesla në fillim të këtij viti filloi prodhimin në fabrikat e Berlinit (Gjermani) dhe Teksasit (SHBA).

Musk tha se priste që Tesla të fillonte prodhimin e kamionëve të saj elektrikë Cybertruck, i cili është vonuar, në mesin e vitit 2023. 

Go to TOP