Mushkolaj: MPJ dhe FSK të marrin masa urgjente ndaj Prindon Sadriut për linçim të mediave

Kryetari i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, ka deklaruar se duhet të merren masa ndaj Prindon Sadriut, i cili po përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave.

Mushkolaj ka shkruar në Facebook se përveç bashkëshort i Presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu është edhe diplomat i rangut të lartë dhe epror rezervë në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Prindon Sadriu nuk është vetëm bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, por është edhe diplomat i rangut të lartë, zyrtar shtetëror. Është edhe epror rezervë në FSK. Tash disa ditë ai përdor gjuhë linçuese kundër gazetarëve dhe mediave”, ka shkruar Mushkolaj.

Mushkolaj thotë se MPJD-ja dhe FSK-ja duhet të marrin masa ndaj Sadriut.

“Ministria e Jashtme dhe FSK urgjentisht duhet të marrin masa ndaj tij dhe të veprojnë sipas rregullativave ligjore në fuqi. Ai nuk mundet që, në përpjekje për t’i mbuluar bëmat e bashkëshortes, të akuzojë gazetarë e media me fjalor të ulët që mbase mund ta përdor ndonjë militant i frustruar, por kurrsesi një diplomat”, ka shkruar Mushkolaj.

Mbrëmjen e së martës, Prindon Sadriu përmes një statusi në Facebook ka reaguar pasi publikimit të shpenzimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Në shpenzimet e publikuara, del që Osmani ka shpenzuar mijëra euro në karburante për udhëtim në kohën sa ishte deputete

Sadriu ka reaguar duke e shpërndarë reagimin e këshilltarit të Presidentes, Bekim Kupina, dhe duke sulmuar mediat. Ai po ashtu ka thënë se me këto publikime po mundohet të “njolloset puna e Presidentes”.

“Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1.200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijera dollarë). Bileta avioni First Class e rrallë herë Business Class. Për Economy as që flitej. Ju nuk keni lënë gjë publike pa keqpërdorë”, shkruan Sadriu.

“Dhjetëra miliona euro keqpërdorime të qytetarëve përmes të cilave keni blerë televizione, portale e paguani ‘qepues’ për t’u munduar ta njollosni punën e ndershme të Presidentes. Për juve shteti është vetëm mjet për mbrojtjen e interesave biznesore e kriminale. Kaq!”, përfundon ai.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP