Murseli: Refuzohet kërkesa e LDK-së për tubim në Palestrën e Sporteve në Gjilan

Gentrit Murseli, aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Gjilan, ka reaguar ndaj refuzimit të kërkesës për organizimin e një tubimi në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta”. Kërkesa ishte dërguar më 30 dhjetor 2024 për një aktivitet të planifikuar më 6 shkurt, ditë e enjte.

Sipas Murselit, pas dy javësh pritjeje, kërkesa u refuzua me arsyetimin se palestra do të jetë në dispozicion të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për shkak të angazhimeve të tyre.

Në një deklaratë publike, Murseli kritikoi ashpër vendimin, duke theksuar se qytetarët e Gjilanit nuk do të lejojnë asnjë bllokim të hapësirave publike dhe të demokracisë. Ai bëri thirrje për pjesëmarrje masive në tubimin që do të mbahet në Sheshin “Rexhep Mala & Nuhi Berisha”.

“Ata që kanë refuzuar çdo projekt madhor për Gjilanin dhe kanë përdhosur besimin e qytetarëve, do ta marrin përgjigjen më 6 shkurt. Sheshin nuk e bllokojnë dot! Sheshin do ta bllokojmë ne!”, deklaroi Murseli.

Tubimi pritet të jetë një mundësi për LDK-në të mobilizojë mbështetësit në prag të zgjedhjeve të ardhshme, duke adresuar sfidat dhe planet për të ardhmen e qytetit. /Kosova.info/


Go to TOP