Murati kundër Hamzës: Debat pa fakte – shifrat e BQK-së e demantojnë ish-guvernatorin

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj paraqitjes së Bedri Hamzës në emisionin “Debat Plus”, duke thënë se pavarësisht emrit të emisionit, debat i mirëfilltë nuk ka pasur. Sipas tij, Hamza ka folur i pasfiduar nga analistët dhe ka dhënë deklarata të pambështetura në të dhëna zyrtare.

Murati theksoi se ish-ministri dhe ish-guvernatori i BQK-së ka bërë pretendime pa referenca, madje edhe në tema ekonomike ku pritej saktësi. Ai rikujtoi se i vetmi moment kur Hamza u përpoq t’i referohej shifrave ishte kur foli për normat e interesit, por sipas tij, edhe aty “ia huqi keq”.

“Hamza tha se kur e ka lënë detyrën në vitin 2017, norma mesatare e interesit paska qenë 6.2%, ndërsa tash paska shkuar më lartë. Por faktet tregojnë të kundërtën”, deklaroi Murati.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në vitin 2017 ka qenë 6.83%, ndërsa në periudhën janar–tetor 2025 ka rënë në 6.28%, pavarësisht rritjes së Euriborit në këto vite.

Murati tha se një verifikim i thjeshtë i të dhënave mjafton për të demantuar deklaratat e Hamzës, duke shtuar se debati publik duhet të mbështetet në fakte të vërtetuara, jo në “hamendësime e supozime”. /Kosova.info/


Go to TOP