Murati komenton zhvillimet në Mitrovicë: Partia që do të hyjë në histori për keq, po kërkon shfajësim
Hekuran Murati i ka cilësuar të paqëndrueshme akuzat për vjedhje votash në Mitrovicën e Jugut.
Anëtari i Vetëvendosjes, deputeti e ministri në detyrë i Financave tha sot se akuzat e PDK-së për vjedhje të votave përbëjnë rrëfim “për mëkatin” e tyre.
Sipas Muratit, në zgjedhjet e para 15 viteve, në zonat që njiheshin si bastione të PDK-së dalja në votime regjistrohej në mbi 120%.
“Tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët. Një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje! me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre”, tha Murati në një postim në Facebook të martën.
“Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së”, tha ai.
Murati tha se “prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet ‘kapeni hajnin’, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”.
“Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin. Turp!”, përfundoi ai.
