Murati i reagon Abdixhikut: Kjo është tallje me qytetarët
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili tha se LDK ka qenë e gatshme të votojë “pakon” e propozuar nga presidentja Osmani, për çështjet që tani kanë mbetur pezull si zgjatimin e buxhetit, Pakon e Rritjes, buxhetin për RTK dhe për komunat.
Në një postim në Facebook, Murati ka kritikuar LDK-në për mospjesëmarrjen në seancë dhe për, siç tha ai, arsyetim të paqëndrueshëm.
“E pse nuk i votuat pra kur e kishit mundësinë? Deri dje keni thënë se seanca ka qenë anti-kushtetuese, prandaj s’keni marrë pjesë. Tash po del që paskeni pasë me i votu, por s’ju ka pëlqy mënyra e ftesës. Kjo është tallje me qytetarët,” ka shkruar Murati.
Paradite kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se në mbrëmjen e 4 nëntorit, gjatë nominimit të Glauk Konjufcës si mandatar, i kishte shprehur presidentes Vjosa Osmani gatishmërinë e LDK-së për të votuar një paketë të përbashkët që ai e quajti “Pako e Presidentes”.
Sipas tij, Presidentja kishte komunikuar me mandatarin Konjufca dhe Vetëvendosje ishte shprehur pozitive për idenë.
Abdixhiku thotë se menjëherë pas kësaj kishte kontaktuar edhe kryetarët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës, Memli Krasniqin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, të cilët i kishte njoftuar për mundësinë e votimit të kësaj pakoje. Ai thotë se për situatën kishte informuar edhe disa ambasadorë të QUINT-it.
“Nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë,” ka shkruar Abdixhiku, duke theksuar se nuk kishte pasur asnjë komunikim apo përpjekje të mëtejshme nga ana e institucioneve.
Reagimi i Abdixhikut erdhi pas deklaratës së presidentes Vjosa Osmani, e cila kishte thënë se kishte bërë çdo përpjekje për të gjetur zgjidhje para se të nënshkruante dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, por sipas saj, partitë e asaj që e quajti “ish-opozita” nuk kishin pranuar të ktheheshin në seancë.
