Murati akuzon Ramën për “kallëzim të rremë” gjatë fushatës: Marrëzia e tij s’ka kufi
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pas kallëzimit penal që ky i fundit ka dorëzuar kundër tij. Murati e quajti veprimin e Ramës “marrëzi pa kufi” duke theksuar se kryetari i kryeqytetit nuk ka arritur as vetë ta miratojë buxhetin e Komunës brenda afatit ligjor.
Sipas ministrit, Rama po tenton t’i shmanget përgjegjësisë së tij për dështimet komunale duke fajësuar të tjerët përmes “skenave politike” dhe iniciativave të pabazuara. Ai paralajmëroi se Kodi Penal parasheh dënim nga 3 muaj deri në 3 vite burg për kallëzim penal të rremë duke nënkuptuar se veprimi i Ramës mund të ketë pasoja ligjore.
Në reagim, Murati vuri në pah edhe faktin se kallëzimi penal është bërë më 7 tetor, kohë kur kishte nisur fushata zgjedhore duke e cilësuar këtë si provë që, sipas tij, qëllimi i vetëm ishte efekti politik.
“Dikush le t’i tregojë Përparimit që fushata ka përfunduar. Tash është koha me iu kthy punës,” përfundoi Murati në deklaratën e tij. /Kosova.info/
