Mungesë uji në Ferizaj, qytetarët ankohen për reduktime të gjata

Qytetarët ferizajas po ballafaqohen me një problem të pazgjidhur. Ata gjatë verës detyrohen të sigurojnë ujë e pijshëm, pasi kompania publike ‘Bifurkacioni’ nuk u siguron ujë të bollshëm. Në këtë kompani e pranojnë se gjatë verës aplikojnë reduktime.

Gjatë verës, kur temperaturat janë të larta, Raif Kashtanjeva, nga Ferizaj, detyrohet të blejë ujë të pijshëm ose të sigurojë ku të mundet. Në banesën e tij, shtypja është e ulët, ndërsa gjatë natës ka reduktime.

“Si qytetar të Ferizajt disa jemi të detyruar që të grumbullojmë ujë sepse kushtet atmosferike janë të atilla që na pamundësojnë ujin e ujësjellësit të depërtojë nëpër banesa për shkak se nuk ka shtypje sidomos gjatë orëve të natës verës kur ka shpenzime dhe qytetarët shpenzojnë më shumë ujë. Prandaj detyrohemi këtu të marrim ujë”, tha Raif Kashtanjeva, banor i Ferizajt.

Probleme të ngjashme kanë edhe banorët e fshatit Talinoc të Muhaxherëve.

“S’ka ujë në fshatin Talinoc i Muhaxherve nga 24 orë. Vjen vetëm gjysmë ore, po duhet të shkohet në Ferizaj tek palestra e sporteve me marr ujë”, tha Hysen Makolli, banor i këtij fshati.

Në ndërmarrjen ‘Bifurkacioni’ thonë se fabrika e ujit punon me kapacitet të plotë, por për shkak të vapës dhe mbi popullimit në zonën urbane, janë të detyruar që gjatë verës të aplikojnë reduktime të ujit, kurse për viset rurale problemet paraqiten vetëm kur ka prishje të pompave.

Kryeshefi ekzekutiv në kompaninë ‘Bifurkacioni’

“Në Ferizaj ne e kemi kapacitetin e fabrikës diku prej 190 deri 195 litra për sekondë dhe aplikohen reduktime prej orës 12 të mbrëmjes deri në orën 4 e 30 në mëngjes. Ne nuk e ndalim ujin 100 % por afër 70 % me qëllim që të kemi akumulim më të madh në rezervuar”, tha Jeton Shabani, kryeshef ekzekutiv në kompaninë ‘Bifurkacioni’.

Nga kjo kompani apelojnë tek qytetarët ferizajas që uji të shfrytëzohet në mënyrë sa më racionale dhe të mos keqpërdoret. 

Go to TOP