Mungesa e shiut në sezonin e misrit, uli rendimentet e tij
Në pranverë në saje të kushteve klimatike që mbretëronin, bujqit në vend shpresonin se do të arrinin rekordin e prodhimit me misër njëjtë sikurse ndodhi me grurë.
Mirëpo, ndryshimet e klimës gjatë 3 muajve të fundit ku temperaturat u rritën në masë të madhe dhe munguan të reshurat, patën ndikim që rendimenti i misrit të jetë rreth 4 tonë mesatarisht në komunën e Podujevës, derisa në disa vende të tjera mund të jetë përgjysmë më pak se në këtë komunë.
Kultivuesi i kulturave lavërtare në Podujevë, Malsor Sejdiu thotë për emisionin ‘Toka’ në RTK se me rendimentin e sivjet do të jenë të kënaqur, nëse arrijnë të mbulojnë shpenzimet e veta.
“Nëse nuk do të mungonin të reshurat, këtë vit prisnim rendiment mbi 10 tonë për hektarë. Muaji qershor dhe korrik janë dy muajt kur misri ka nevojë të theksuar për ujë”, thotë ai.
Ndërkaq, për shkak të ndryshimeve klimatike që po ndodhin, edhe në vendin tonë, bujqësia nuk po mund të paramendohet pa sistem të ujitjes.
Sejdiu u sugjeron institucioneve që në këtë drejtim të punohet dhe të shfrytëzohet lumi Llap në Podujevë për këtë çështje.
Ai thotë se për dallim nga viti i kaluar kur kishim lagështi të tepërt, këtë vit mungesa e reshjeve ne 3 muajt e fundit, duket se kanë pasur një ndikim pozitiv në atë të pakësimit të sëmundjeve për misrin.
“Derisa sëmundjet janë pakësuar, mungesa e reshjeve ka ngritur çmimin e misrit, për shkak të rendimentit të ultë të tij dhe mungesës në vend dhe regjion”, thotë Sejdiu.
Po ashtu, sipas tij, misri po subvencionohet më pak sesa gruri. Kurse grantet mungojnë për kultivuesit e kësaj kulture.
Ndërkohë, sipas të dhënave të përgjithshme në fermat e moderuara në botë, 90 për qind të ushqimeve për kafshët përdoren në formë të silazhuar. E në vendin tonë, sipas Tefik Jasharit Kultivues i misrit në Podujevë si ushqim i silazhuar përdoret vetëm misri.
Ai thotë se bima e sillazhuar ruan shumë veti që I ka si bimë e freskët.
Sa u përket subvencioneve, Jashari na thotë se ato duhet të jepen në dy etapa brenda vitit. Si të stërzgjatura i vlerëson edhe procedurat administrative për to.
“Kurse për grantet, krahas ndërtimit të fermave, orientimi duhet të jetë në sigurimin e gjedheve fisnike në mënyrë që të rritet prodhimi, po ashtu fermerët duhet të ndihmohen në saje të punës që kryejnë”, thotë Jashari për emisionin ‘Toka’ në RTK.
Se ishte mungesa e reshjeve faktori kyç që ndikoi në rendiment të ultë të sivjetmë të misrit e thotë edhe Profesori i Kulturave Lavërtare në Fakultetin e Bujqësisë dhe veterinarisë në Prishtinë, Imer Rusinovci.
Sipas tij, thatësia e dëmtoi misrin në lulëzim dhe në fillesat e formimit dhe mbushjes së kokrrës.
“Në vendin tonë pjesa më e madhe e hapësirave ku kultivohen kulturat lavërtare janë pa sistem të ujitjes. Kjo e vërtetë, duhet të shtyjë institucionet dhe fermerët të orientohen në hibride që përshtaten me thatësi e po ashtu me lartësi mbidetare të vendit ku mbjellën”, thotë Rusinovci për emisionin ‘Toka’ në RTK.