Mujanoviq për KiE: Ironi që të luhet politikë me vendimin

Jasmin Mujanoviq, politolog dhe specialist i politikave të Evropës Juglindore dhe çështjeve ndërkombëtare, ka shkruar rreth zhvillimit të procesit të pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Këshilli ndërqeveritar i Evropës këtë muaj do të marrë një vendim përfundimtar nëse do të pranojë Republikën e Kosovës në organin pan-evropian për të drejtat e njeriut. Asambleja Parlamentare e Këshillit votoi me një shumicë dërrmuese prej 131-29 më 16 prill për të mbështetur kërkesën e kombit ballkanik për anëtarësim. Çuditërisht, nga 131 delegatë që votuan për mocionin, 13 erdhën nga vende që aktualisht nuk e njohin sovranitetin e Kosovës”, shkruan anë një shkrim.

Sipas tij, megjithatë, përkundër atij mesazhi të qartë nga Asambleja, ende nuk është e qartë nëse Kosova mund ta kapërcejë pengesën e fundit në Këshillin e Ministrave, i cili do të marrë vendimin përfundimtar. “Për ironi, disa nga kryeqytetet që e njohin Kosovën duket se kanë vendosur të luajnë politikë me vendimin”, thotë ai.

Mujanoviq thotë se status quo favorizon fuqishëm Serbinë. “Serbia është një shtet plotësisht i njohur me përfaqësim në të gjitha organet kryesore ndërqeveritare, nga Kombet e Bashkuara te Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë e deri te INTERPOL. Kosova, pavarësisht se është njohur nga më shumë se 100 shtete anëtare të OKB-së, nuk ka një vend në asnjë nga ato organe, ndërsa Serbia lobon kundër pranimit të saj edhe në organizata kulturore si UNESCO.

Sipas tij, që Franca dhe Italia të kushtëzojnë pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit, ndërkohë që asnjë nga shtetet nuk ka vendosur as sanksione kundër Dodikut, është absurde. “Dhe për të gjitha pretendimet perëndimore për mundësitë afatshkurtra të normalizimit, Vuçiq mbetet kategorik se ai kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht se çfarë marrëveshje bëhet”, tha ai.

Mujanoviq, përmend edhe raportet e fundit nga Freedom House dhe V-Dem tregojnë se kredencialet demokratike të Kosovës janë duke u përmirësuar, ndërsa ato të Serbisë janë në rënie.

“Në raportin e saj më të fundit “Kombet në tranzit”, Freedom House e shënoi Serbinë pak më të lartë se Kosova, por zbuloi se Serbia është në rrugën e saj për t’u bërë një “regjim autoritar gjysmë i konsoliduar”. Ndërsa qeveria e Kosovës po “promovon një agjendë reformash të bazuar në sundimin e ligjit”, Serbia iu përgjigj protestave masive me “zgjedhje të parakohshme të manipuluara në dhjetor”, theksoi gjithashtu raporti. Nga ana e saj, V-Dem e konsideron Kosovën një “demokraci zgjedhore” kundrejt “autokracisë zgjedhore” të Serbisë”, tha ai.

Go to TOP