Muhaxheri: Kurti po i gënjen qytetarët për autostradën e Dukagjinit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri, i cili është edhe kryetar i Pejës, ka thënë se Qeveria e Albin Kurtit “po i gënjen qytetarët që po punojnë më lirë”.

Muhaxheri ka folur për rastin e autostradës së Dukagjinit, që Qeveria ka preferuar zgjerimin e rrugës ekzistuese e jo ndërtimin e autostradës.

Sipas tij, zgjerimi i rrugës nuk kushton më lirë, sepse vetëm një segment kushton 40 milionë euro.

“Rrugën e vjetër duhet të shpronësohet prapë, të zgjerohet prapë dhe kryeministri ka thënë se do të na kushtojë më lirë. Pse ka me na kushtuar më lirë se ajo ka qenë e projektuar më shtrenjtë dhe tash kanë thënë hajde ta bëjmë një segment, dhe po ua shesin qytetarëve si ne kemi me punuar më lirë. Çka ke me punuar më lirë, e ke vendosur vetëm një segment 40 milionë euro dhe ende nuk e ke nis”, ka thënë ai në T7.

Sipas tij, kjo Qeveri s’ka njerëz e as program.

“I kanë besuar liderit që mund t’i kryejë punët me shkop magjik, por po shihet që s’ka shkop magjik. Problem i parë i kësaj qeverie ka qenë që nuk kanë pasur program dhe pastaj u pa që nuk kanë as njerëz për të qeverisur. Për 4 vjet këta nuk kanë bërë asgjë, sidomos në infrastrukturë”, tha Muhaxheri.

Ndërsa deputetja Hyklmete Bajrami, tha se investimet kapitale të kësaj qeverie janë të njëjta me ato të vitit 2017.

“Në vitin 2023 investimet kapitale janë të barabarta me ato të vitit 2017. P.sh. në vitin 2016, investimet kapitale kanë qenë 339 milionë, deri 349 milionë 2017 nga 1.8 miliard buxhet total. Kurse, me këtë Qeveri në vitin 2023 me buxhet 2.9 miliard, investimet kapitale janë 349 milionë”, tha deputetja Bajrami.

Kjo Qeveri sipas saj, po funksionon me subvencione dhe nuk ka ide të qeverisjes.

Go to TOP