Muharremi kritikon përdorimin e emrit të Rugovës si kartë elektorale nga Partia “Guxo”
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj strategjisë elektorale të Partisë “Guxo”, duke e cilësuar përdorimin e emrit dhe trashëgimisë së Ibrahim Rugovës si një “manovër të ulët” për të siguruar disa vota në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Muharremit, Partia Guxo po përpiqet të portretizohet si pasardhëse e politikës dhe ideologjisë së Rugovës, një përpjekje që ai e konsideron të padenjë dhe fyese për inteligjencën e votuesve. Ai vuri në dukje se përpjekjet e tilla kanë për qëllim të tërheqin votuesit që Lëvizja Vetëvendosje humbi pas largimit të Vjosa Osmanit dhe riforcimit të LDK-së.
“Si mund të besojnë qytetarët në një parti që është gati të përdorë shkëlqimin e Rugovës vetëm për disa vota më shumë? Kjo tregon mungesë të thellë të identitetit dhe kauzës politike,” deklaroi ai.
Muharremi u bëri thirrje partive të ruajnë dinjitetin dhe të shmangin manipulimet elektorale, duke theksuar se fushatat zgjedhore nuk duhet të kthehen në beteja për pushtet me çdo kusht, por në gara të ndershme për të fituar besimin e qytetarëve. /Kosova.info/
