Muharremi kritikon LDK-në: S’ka tolerancë për mendim ndryshe, kjo nuk është parti demokratike!
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të zyrtarëve të LDK-së pas kritikave të Avdullah Hotit ndaj kreut të partisë, Lumir Abdixhiku. Në një postim në rrjetet sociale, Muharremi ka vënë në pikëpyetje demokracinë brenda LDK-së, duke e quajtur të papranueshëm faktin që mendimet ndryshe në parti nuk tolerohen.
“Sonte i kam përcjellë reagimet e zyrtarëve të LDK-së në përkrahje të kryetarit të tyre dhe mënyrën se si e kanë ofenduar indirekt Hotin. Aspak e hijshme kjo. A nuk ka pikë tolerance kjo parti për të pasur mendime ndryshe? Nuk po bëhet të kritikosh liderin, po bëhet nami. Çfarë partie demokratike është kjo? Aspak demokratike,” ka shkruar ai.
Sipas Muharremit, përkrahja e pakusht për liderin nuk e ndihmon atë të përmirësohet, ndërsa vlerëson se kritika e Hotit duhej të shihej si një sfidë pozitive për Abdixhikun. “Lumi nuk duket se ka nevojë për përkrahje, ai ka nevojë të sfidohet për t’u bërë më i mirë. E saktësisht këtë e ka bërë Hoti. Një veprim që, në kushte normale, duhej të vlerësohej,” ka theksuar ai.
Në fund, ai ka kritikuar edhe reagimet ndaj Hotit, duke i cilësuar si vetëofendim për partinë. “Çfarë po bëjnë këta? Po mundohen të ofendojnë… Po e ofendoni veten dhe partinë tuaj me këto akte, askënd tjetër. Ani thoshin ‘parti demokratike’. Nuk po duket. Aspak!” ka përfunduar Muharremi.
Kritikat e tij vijnë pas një vale reagimesh brenda LDK-së, ku shumë zyrtarë dolën në mbrojtje të Abdixhikut. /Kosova.info/
