Muharremi akuzon Qeverinë për “blerje votash” me fonde publike: Grantet po shpallen vetëm pak ditë para zgjedhjeve
Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për shpalljen e një sërë grantesh, subvencionesh dhe thirrjesh publike vetëm pak ditë para zgjedhjeve duke e cilësuar këtë praktikë si përpjekje për blerje të votave me para publike.
Përmes një reagimi publik, Muharremi tha se ministritë kanë intensifikuar shpalljen e mbështetjeve financiare në prag të zgjedhjeve duke sugjeruar se kjo po bëhet për përfitime elektorale.
Sipas tij, vonesat në zbatimin e projekteve dhe mungesa e mbështetjes në momentet kur qytetarët dhe sektorët e ndryshëm kanë pasur nevojë, po zëvendësohen me ndarje fondesh në kohë fushate.
Muharremi veçoi sektorin e bujqësisë duke thënë se fermerët nuk kanë marrë ndihmën e nevojshme kur janë përballur me rritjen e çmimeve të naftës dhe në fillim të sezonit bujqësor, ndërsa tani po u premtohen dhe shpërndahen mbështetje financiare në prag të votimit.
Ai paralajmëroi se krijimi i standardeve të tilla mund të ketë pasoja afatgjata për demokracinë dhe institucionet e vendit duke theksuar se pushteti nuk duhet të përdoret për përfitime zgjedhore.
“Meritoni të ndëshkoheni masivisht, sepse nuk po mendoni për qytetarët, ekonominë dhe sofrën e Kosovës, por vetëm për votat tuaja”, ka deklaruar Muharremi. /Kosova.info/
