Muharremi: 800 euro për bartje të 1 MW energji – shteti i bllokuar, krizat po thellohen, deputetët zgërdhihen si në dasmë
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së vazhdueshme institucionale dhe krizës energjetike që po e rëndon gjithnjë e më shumë Kosovën, ndërsa në Kuvend, sipas tij, deputetët sillen si në një festë të shkëputur nga realiteti.
Në një postim të publikuar gjatë seancës së 21-të të Kuvendit, Muharremi thekson se qytetarët dhe ekonomia po e paguajnë shtrenjtë paaftësinë politike: “800 euro po paguajmë vetëm për bartje të një MW rrymë, e këta qyqarë tu u zgërdhi në Kuvend sikur janë në dasmë.”
Ai paralajmëron se vendi është de facto i bllokuar dhe i përjashtuar nga trajtimi si shtet funksional: “Po vijnë diplomatët nga BE e as që po shkojnë më në Qeveri apo institucione. Jemi kthyer si në kohën e UNMIK-ut, ku Europa takon NATO-n dhe EULEX-in, por jo institucionet tona.”
Muharremi shpreh shqetësimin për pasojat afatgjata që po krijohen për shkak të krizës politike duke akuzuar klasën politike për papërgjegjësi:
“Na humbën vitin e kaluar me fushata e këtë vit po na ikë pa u bërë asgjë. Kemi mbetur me inflacion më të lartë se Gjermania, me çmimet që po rriten përditë, me bizneset që po dobësohen dhe me një deficit tregtar që vetëm në katër muaj ka arritur afër 2 miliardë euro.”
Ai e cilëson situatën alarmante dhe të rrezikshme për të ardhmen e vendit duke theksuar se krizat që janë krijuar do të kërkojnë vite për t’u adresuar:
“E këta ende tu bo pazare. Jo, nuk e ke të drejtën kur e dëmton gjithë popullin për interesa personale. Këto sene nuk harrohen.”
Në fund, Muharremi bën thirrje për ndëshkim masiv në zgjedhjet e ardhshme për ata që, sipas tij, kanë “gatuar këtë krizë e bllokadë” duke kërkuar që qytetarët të mos paguajnë më çmimin e politikës së papërgjegjshme. /Kosova.info/
