MSH paralajmëron: Mosbesim ndaj trajtimeve të pa verifikuara për autizëm, rasti po trajtohet nga Policia
Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me raportimet në media dhe në rrjete sociale për pretendimet se një individ dyshohet se ka ofruar ilaçe duke i paraqitur ato si trajtim për autizëm.
Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Shëndetësisë ka shprehur shqetësimin për këto raportime dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione shëndetësore dhe profesionistë të licencuar.
“Çdo formë e trajtimit që nuk bazohet në prova shkencore dhe nuk ofrohet nga profesionistë të autorizuar përbën rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për fëmijët”, thuhet në reagimin e MSH-së.
Lidhur me rastin konkret, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka njoftuar institucionet kompetente dhe se është në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.
MSH ka theksuar se shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe se çdo keqpërdorim apo mashtrim që rrezikon mirëqenien e tyre do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional. Ministria u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të raportojnë çdo rast të dyshimtë dhe të kërkojnë ndihmë vetëm nga institucionet përkatëse shëndetësore. /Kosova.info/
