Moti në Shqipëri, i paqëndrueshëm me reshje të lehta të shiut
Ditën e shtunë Shqipëria do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut do të nisin që në orët e mëngjesit përgjatë vijës bregdetare me intensitet të ulët, ndërsa pas mesditës do të përhapen në pjesën më të madhe të vendit. Në veriperëndim dhe lokalisht në jugperëndim priten reshje me intensitet deri mesatar, në formën e shtrëngatave afatshkurtra. Në zonat alpine dhe në verilindje–lindje, mbi 800–900 metra lartësi, parashikohen reshje bore me intensitet të ulët.
Era do të fryjë nga verilindja në juglindje me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat bregdetare dhe luginore do të arrijë deri në 16 m/s. Deti do të jetë i trazuar, me valëzim të forcës 4–5 ballë.
