Morina: VV e mbylli dosjen e SHIK-ut, e riktheu në detyrë një të dyshuar si ish-anëtar i tij
Gazetari Idriz Morina ka ngritur akuza të forta ndaj Qeverisë Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke i cilësuar si hipokrite dhe të pajtuara me praktikat e partive që dikur i kritikonte ashpër.
Sipas Morinës, Vetëvendosje, ndonëse pati të gjitha votat dhe pushtetin për të hetuar SHIK-un, një strukturë që për vite me radhë ishte në qendër të akuzave për kapje të shtetit dhe shkelje të ligjit, e mbylli këtë çështje si të mos kishte ekzistuar kurrë. “Ajo i kishte gjithë votat e mundshme dhe pushtetin për ta hetuar SHIK-un, por thjesht e mbylli, si çështje, sikur të mos kishte ekzistuar as SHIK-u”, shkruan Morina.
Ai ndalet edhe te rasti i fundit i arrestimit të Nexhmi Krasniqit, drejtor rajonal i Policisë në Prizren, të cilin ministri Xhelal Sveçla e cilësoi si “kriminel”. Por Morina kujton se ishte pikërisht Ministria e Punëve të Brendshme, nën drejtimin e Sveçlës, që e lejoi kthimin e Krasniqit në detyrë në mars të këtij viti, ndonëse ishte i suspenduar më parë nga Inspektorati Policor dhe kishte të kaluar të dyshimtë si pjesë e SHIK-ut.
“Pyetja është: ku ishte ministri Sveçla që e lejoi kthimin e Krasniqit në krye të Policisë së Prizrenit, dhe si e lejoi që një ‘kriminel’, siç e quajti ai pa hezitim, të rikthehej në atë post kaq të rëndësishëm?”, shton Morina, duke theksuar se nuk ka pasur asnjë iniciativë për shkarkim apo hetim të ri ndaj tij.
Gazetari kritikon ashpër edhe presidenten Vjosa Osmani për tërheqjen e kërkesës për interpretim nga Gjykata Kushtetuese, ndonëse ishte vetë ajo që kishte pranuar publikisht se gjyqtari serb Enver Laban paraqiste kërcënim për interesin shtetëror. “Skandaloz është akti i tërheqjes, sepse presidentja e dinte kush ishte Laban, qysh prej vitesh. Vetë akti i dërgimit të rastit në Kushtetuese është më komprometues se tërheqja e tij”, shprehet Morina.
Sipas tij, këto janë dëshmi të një hipokrizie të thellë politike të Vetëvendosjes, që tashmë, pas më shumë se katër vitesh në pushtet, po shfaq fytyrën e vërtetë: uzurpim të institucioneve, manipulim dhe mungesë totale të vullnetit për të pastruar strukturat e vjetra që dikur i denonconte. /Kosova.info/
