‘Monumentet natyrore – trungjet e vjetra’ në pulla postare

Posta e Kosovës, përmes filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim emisionin e pullave postare me titull “Monumentet natyrore – trungjet e vjetra”.

“Nga thesari i begatshëm i trashëgimisë natyrore të Kosovës, në tri pulla postare prezantohen tre trungje të rëndësisë së veçantë natyrore dhe kulturore”, thuhet në njoftimin e Postës së Kosovës.

Trungjet e Gjashtë Lisave të Likoshanit dhe trungu i bungëbutës në Aqarevë janë të mbrojtur nga shteti, ndërsa trungu i ahut në Gjyrishec të Kamenicës është i propozuar për mbrojtje ligjore.

Përveç vlerave natyrore, trungjet e  Gjashtë Lisave të Likoshanit kanë edhe rëndësi historike, për arsye se dekada me radhë kanë simbolizuar qëndrueshmërinë dhe rezistencën e popullit të kësaj treve.

Ndërkaq trungu i bungëbutës në Aqarevë të Skenderajt dhe trungu i ahut në Gjyrishec të Kamenicës janë monumente natyrore me karakter botanik, që përfaqësojnë llojin e drurit të fortë dhe të qëndrueshëm, me vlera të mëdha ekologjike dhe edukativo-arsimore.

Ky emision i pullave postare është realizuar me përkrahjen e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, ndërkaq në qarkullim postar do të mbetet deri në konsum të plotë, ka njoftuar Posta e Kosovës.

Go to TOP