Grupet me uniforma në veri që i përmendi Vuçiq, Sveçla: Po, ishin të armatosur, kanë hyrë prej Serbisë

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime intensive për grupet e armatosura dhe të uniformuara në veri të vendit, por se nuk mund të përgjigjet në pyetje konkrete për mosdëmtim të procesit.

Ai tha se në vazhdimësi kanë thënë se këto grupe që sulmojnë funksionimin e sovranitetit dhe ruajtjes së integritetit të Kosovës janë të financuara dhe udhëhequra nga Aleksandar Vuçiq dhe qeveria serbe.

“Ne kemi dëshmi të prezencës së grupeve të armatosura me maska e unifroma, në mes të natës së 31 korrikut dhe 1 gushtit. Siç e thatë edhe vetë, është hera e parë që Vuçiq e konfirmon atë që ne e kemi thënë që një kohë. Kjo prezencë është e infiltruar në masë të madhe nga territori i Serbisë. Edhe bashkësia ndërkombëtare e ka konfirmuar këtë prezencë që është e infiltruar nga territori i Serbisë dhe i shfrytëzojnë pjesëtarët e xhandarmërisë [që jetojnë] në Kosovë apo edhe grupe kriminale që veprojnë në atë zonë”.

Vuçiq, në seancën e Kuvendit serb për Kosovën, për herë të parë ka treguar se më 31 korrik në veri të Republikës së Kosovës ishin shfaqur serbë, të rinj dhe të vjetër, më uniforma, të cilët, sipas tij, do ta “mbronin Kosovën nga agresorët”.

Go to TOP