Mjeku Armend Agolli: Përparim Rama ka punuar me vizion për Prishtinën, meriton mbështetjen e qytetarëve

Mjeku Armend Agolli ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kryetarin aktual të Prishtinës, Përparim Ramën, pas debatit të kandidatëve për kryeqytetin. Ai e ka uruar Ramën për, siç tha, “durimin që ka treguar gjatë këtyre katër viteve përballë bllokuesve dhe shantazhuesve”.

Agolli theksoi se Përparim Rama ka nisur projekte madhore e me vizion për zhvillimin e kryeqytetit, si rruga “A”, unaza e mesme që tashmë ka filluar dhe unaza e jashtme që është projektuar. “Këto janë mega-projekte që po bllokohen nga qeveria aktuale, por që do t’i japin drejtim të ri Prishtinës”, tha ai.

Sipas tij, krahas projekteve strategjike, Rama ka realizuar me efikasitet edhe projekte të përditshme që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetesës së qytetarëve, si rregullimi i soliterëve në Ulpianë, tuneli i Kurrizit, fasadimi i banesave te sheshi i Flamurit dhe parkingu i qytetit.

Agolli e vlerësoi gjithashtu angazhimin e Ramës në menaxhimin e mbeturinave, duke përmendur sjelljen e mbi 1000 kontenierëve dhe kamionëve të rinj për pastrimin e qytetit, si dhe krijimin e projektit të parë për qentë endacakë në Prishtinë.

“Na si qytetarë jemi lodhë me bllokues, me shantazhues e me xhelozë patologjikë. Prishtinës i duhen njerëz që punojnë me zemër për qytetin, jo për interesat e partive,” u shpreh Agolli, duke bërë thirrje qytetarëve që më 9 shkurt të votojnë Përparim Ramën, “njeriun punëtor, profesionist dhe që e do të mirën e vendit të vet, e jo partisë që e përfaqëson”./Kosova.info/

Go to TOP