Mjekë nga Turqia operojnë fëmijë me probleme në zemër

Ekipi i mjekëve nga Turqia do të realizojë intervenime kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër dhe do bëjë ekzaminime kardiologjike.

Një ekip mjekësh e infermierësh nga Turqia do të kryejë operacione te fëmijët me probleme në zemër dhe do të bëjë ekzaminime kardiologjike gjatë 10 ditëve të ardhshme në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka njoftuar Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, duke thënë se ky mision është humanitar.

Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Elvir Azizi dhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, kanë mirëpritur në QKUK ekipin e mjekëve kardiokirurgë dhe kardiologë të fëmijëve nga Turqia, në kuadër të misionit “Muntada Aid”.

“Ekipi i mjekëve nga Turqia do të realizojë intervenime kardiokirurgjike tek fëmijët me probleme në zemër dhe do bëjë ekzaminime kardiologjike. Drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, falënderoi organizatën “Muntada Aid” dhe ambasadorin Hargreaves për mbështetjen , duke shtuar se ky mision është një mundësi e mirë që fëmijët e Kosovës të përfitojnë intervenime në zemër, pa pasur nevojë të dalin jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Jonathan Hargreaves, u shpreh i lumtur që ky mision humanitar po realizohet dhe që po përfitojnë fëmijët e Kosovës.

Në emër të ekipit, foli Dr. Ibrahim Cansaran, i cili po ashtu, shprehu kënaqësinë që kanë mundësinë të ndihmojnë fëmijët e Kosovës.

Sipas tij, kjo është një mundësi e mirë që të përfitojnë eksperiencë edhe stafi vendor i mjekëve dhe infermierëve.

Në përbërje të ekipi mjekësor ka mjek kardiologë, kardiokirurgë, anesteziologë, infermierë dhe teknik të anestezionit. /Kosova.info/

Go to TOP