Mitrovicë: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje

Me qëllim të diskutimit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, me iniciativë të Koordinatores për rastet e dhunës në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Laura Pula  dhe Koordinatorit  të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave Burhan Maxhuni, sot u mbajt një takim në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Pjesëmarrës në takim ishin U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë Njazi Rexha, prokurorja – koordinatore për rastet e dhunës në familje Ajtene Zoni dhe stafi i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.

Ky takim u fokusua në adresimin e sfidave aktuale në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të dhunës në familje, si dhe në përmirësimin e mbështetjes për rastet e viktimave të krimit   përmes masave mbrojtëse dhe ndihmës së specializuar.

Koordinatorja për rastet e dhunës në familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit Laura Pula  theksoi rëndësinë e një qasjeje të unifikuar mes institucioneve për të garantuar trajtim të shpejtë dhe efikas të rasteve, duke siguruar mbrojtjen e viktimave dhe ndëshkimin e autorëve të dhunës.

Koordinatori i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave Burhan Maxhuni vuri në pah nevojën për mbështetje të vazhdueshme psiko-sociale dhe ligjore për viktimat e krimit , si dhe rëndësinë e zbatimit efektiv të masave mbrojtëse për të parandaluar rastet e përsëritura të dhunës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë U.D. Njazi Rexha konfirmoi angazhimin e institucionit për trajtimin me prioritet të këtyre rasteve, duke theksuar rëndësinë e koordinimit mes prokurorisë, policisë dhe institucioneve mbështetëse për të siguruar një sistem më efikas dhe të drejtë për viktimat e dhunës në familje.

Në përfundim të takimit, palët u akorduan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërmarrjen e hapave konkretë për forcimin e mekanizmave të mbrojtjes dhe ndëshkimit të dhunës në familje. /Kosova.info/


Go to TOP