Miratohen masat e reja kundër COVID-19 në Kosovë
Qeveria e Kosovës ka njoftuar të premten (4 shkurt) për masat e reja kundër COVID-19 që do të hyjnë në fuqi nga e shtuna (5 shkurt).
Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, ndryshime do të ketë në masat aktuale lidhur me personat që hyjnë në Kosovë, kufizimin e lëvizjes dhe punën e bizneseve.
“Kemi vendosur lehtësimin gradual të masave që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik por njëkohësisht synojnë të ngadalësojnë infektimin”, tha ministri në konferencë për media.
Në masat e reja thuhet se personat që hyjnë në Kosovë duhet të kenë certifikatën e vaksinimit të plotë me dy doza, ose vaksinimin me një dozë së bashku me një test negativ PCR.
Sipas masave të miratuara, bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, në ambientet e mbyllura.
Sa i përket kufizimit të lëvizjes, orë policore do të ketë nga ora 24 deri në orën 5 të mëngjesit.
Shërbimet e gastronomisë lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 05:00 deri në orën 23:00 ndërsa muzika lejohet vetëm deri në orën 22:00.
Qeveria po ashtu ka lejuar punën e palestrave që iu ishte ndaluar puna me masat e deritanishme.
Në konferencën ku u bë njoftimi për masat e reja, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se masat e fundit që ishin ndërmarrë më 21 janar kanë dhënë efekt në ngadalësimin e përhapjes së variantit Omicron.
“Ngadalësimi i rritjes së rasteve ka filluar gjashtë ditë pas marrjes së masave”, tha ai.
